Kryemadhi: Buxheti i shtetit shkon tek 5 oligarkë dhe tek Ndangheta, Veliaj me thes në dorë në fshatrat e Kavajës dhe Rrogozhinës
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me banorët e Njësisë 5, nga ku deklaroi se Buxheti i shtetit shkon tek 5 oligarkë dhe tek Ndangheta, ndersa shtoi se Erion Veliaj del me thes në dorë në fshatrat e Kavajës dhe Rrogozhinës.
“Sot i gjithë buxheti i shtetit shkon në 5 duar, ose tek oligarkët ose tek Ndrangheta, se nuk të ka ngelur më gjë tjetër ty. Sot nuk ka një kontratë për familjet e Kombinatit për tërmetin dhe ti ke sesi bëhen pazaret e metrave katrorë të Tiranës me mijëra euro, me mafien italiane. Kur ndërkohë ka dalë më thes në krah, fshat më fshat të Rrogozhinës dhe Kavajës, se i mbaroi kullat në Tiranë dhe tani shkon atje, kur ndërkohë detyrimi i tij është ndaj qytetarëve të Tiranës. Po jo vetëm i atij, edhe i këtij tjetrit që e mban veten për kryeministër, i cili është në ikje, i cili ka rritur taksat, ka thënë do hap 300 mijë vende pune, nuk hapi asnjë. Ka thënë do ul çmimin e energjisë elektrike, por jo vetëm që nuk e uli por përkundrazi e rriti. Ka thënë arsim falas, arsim falas nuk ka jo e jo, po u rriti tarifat dhe nuk kanë as laboratorë e as kërkim shkencor. Ka thënë do ndihmoj komunitetet që janë në nevojë dhe në ndihmë për asistencë sociale, absolutisht as njërën as tjetrën. Tha do rris prodhimin vendas, përkundrazi e mbyti prodhimin vendas dhe e falimentoi me importet. Shëndetësia falas u bë shëndetësia më e shtrenjtë. Për një Covid në familje u shkon njerëzve 3-4 milion.
Kështu që të gjitha këto që u kthyen nga një fasadë, nga premtime në mashtrime, njerëzit nuk të durojnë më. Nuk të duron prindi kur gënjen, jo më të durojë një njeri që robtohet për të ushqyer familjen dhe fëmijët e vet. Dhe ajo që është akoma më e dhimbshme, është banaliteti dhe arroganca që kanë në sjelljen me njerëzit. Pra njerëzit janë të padukshëm për ta. Njerëzit janë të pa konsiderueshëm për ta.
92 ditë na ndajnë, edhe 92 ditë për të shkuar në kutinë e votimit. 10 minuta për t’i kushtuar një miku, për të qenë pjesë e votimit, rëndësi ka që të mos votosh këtë sekt që të grabit. Dhe kjo është gjëja më e thjeshtë dhe treçereku i punës është gati. Mendoj që nuk ka të bëjë me flamur politik, sesa ka të bëjë me koshiencën qytetare. Të gjithë kemi arsye pse duhet të shkojmë te kutia e votimit. Duhet të shkojmë për t’i dhënë mësim çdo politikani që të mos guxojë më të bëjë veprime të tilla. Ne në shumicën e rasteve fokusohemi te problemet madhore politike, por harrojmë jetën e përditshme të qytetarëve. Harrojmë mungesën e punësimit, harrojmë largimin e të rinjve, harrojmë të ulemi dhe të diskutojmë për problemet që kanë njerëzit në jetën e përditshme, sepse ata kanë probleme shumë të vogla, por që krijojnë drama të mëdha në familjet shqiptare”, u shpreh Monika Kryemadhi.