Kryemadhi depoziton në Kuvend pr.ligjin: Institucionet janë bunkerizuar, nuk marrim informacione
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka depozituar në Kuvend ligjin që sipas saj fuqizon rolin e deputetit.
Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi u shpreh se deputetët hasin vështirësi në marrjen e informacioneve nga institucionet, duke marrë si shembull rastin e saj. Ajo u shpreh se nuk ka marrë informacione nga bashkia e Tiranës, por edhe e Vorës për çështjen e inceneratorit.
“Mbi 70 % e kërkesave të qytetarëvbe bnuk marrin përgjigje nga institucionet. Ky propozim për një rol me efektiv të deputetit është mbi të gjitha një shërbim për qytetarin, në mënyrë që deputetet të kenë mundësi të interesohen për qytetarin”, tha Kryemadhi, e cila theksoi se institucionet janw bunkerizuar.
“Pr. ligji i propozuar sot thotë se nëse drejtuesit nuk japin informacion, parashikohen masa administrative. Pr. ligji besoj se do të mbështetet nga të gjithë deputetët, sepse fuqizon rolin e tyre”, theksoi më tej Kryemadhi.
Fjala e plotë
Kam depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për Statusin e Deputetit”, që synon forcimin e rolit të deputetit dhe parlamentit në kontrollin e veprimtarisë së organeve publike.
Si deputete, vlerësoj se transparenca dhe e drejta e informimit janë thelbësore për ruajtjen e interesit publik dhe luftën kundër abuzimit me pushtetin dhe korrupsionit, fenomene që janë shqetësuese në administratën qëndrore dhe vendore.
Gjithashtu, organet e zbatimit të ligjit duhet të mbështeten me informacion të saktë për të hetuar dhe ndëshkuar keqmenaxhimin dhe veprimtarinë e paligjshme në administratë.
Deputetët e Kuvendit duhet të kenë një rol aktiv në këtë aspekt dhe ky projektligj do të jetë një shtysë për çdo deputet që të kryejë veprimtari edhe të pavarur në denoncimin aktiv dhe institucional të paligjshmërisë.
Jam nisur për këtë propozim ligjor edhe nga shqetësimet e shprehura nga shumë qytetarë, të cilët, edhe pse kanë nisur kërkesa dhe letra për t’u informuar nga organet publike, nuk kanë pasur akses në kohë apo të plotë në informacion.
Ky propozim për një rol më efektiv të Deputetit të Kuvendit është mbi të gjitha një shërbim për qytetarin, në mënyrë që deputetët të kenë të gjitha mundësitë për t’u interesuar për zgjedhësit, për të ndjekur problemet e tyre, për t’i mbrojtur qytetarët nga abuzivizmi i institucioneve dhe për të ofruar zgjidhje konkrete për ta.
Pavarësisht agendave të formacioneve politike, çdo deputet ka përgjegjësinë të përfaqësojë zgjedhësit dhe të sigurojë transparencën dhe llogaridhënien e zyrtarëve publikë, në çdo rast kur kjo transparencë dhe llogaridhënie nuk realizohet.
Besoj në vitet e fundit kemi parë gjithnjë e më shumë zyrtarë publikë që pas fshehjes së informacionit dhe bunkerizimit brenda mureve te godinave qeveritare, synojnë të mbrohen nga përgjegjësia ligjore dhe publike për aktet korruptive dhe klienteliste të kryera.
Ndaj, Deputetët duhet të kenë akses të plotë në informacion për të mbrojtur interesin e shtetasve dhe Republikës tonë parlamentare.
Në të gjithë karrierën time politike, kauzat e tilla si llogaridhënia, transparenca dhe shërbimi ndaj qytetarëve kanë qenë shoqëruese.
Unë besoj fort se forcimi i statusit të deputetit dhe jetës parlamentare në tërësi, është fuqizim i qytetarit dhe garanci për mbrojtjen e interesave të qytetarit të zakonshëm, të biznesit të zakonshëm, të Shqipërisë që i përket të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm atyre të lidhur me pushtetin.
Unë vet si deputete gjatë ushtrimit të kësaj të drejte të garantuar nga Satusi i Deputetit, kam hasur në refuzimin e organeve publike, si Bashkia Tiranë, e cila ka refuzuar çdo kërkesë zyrtare timen si deputete për të më dhënë informacion për inceneratorin e Tiranës.
Të tilla sjellje antiligjore e pengojnë rolin kontrollues të Kuvendit dhe faktimin në kohë të shkeljeve ligjore. Bllokimi i informacionit ul besimin e publikut tek veprimtaria parlamentare dhe prodhon pasoja serioze për interesin publik dhe financat publike.
Në shumë raste, mosdhënia e informacionit vjen nga drejtuesit e institucioneve, të cilët synim të vetëm kanë fshehjen e paligjshmërisë së tyre.
Projektligji i propozuar sot, parashikon që në rast se drejtuesi i institucionit nuk jep informacion në mënyrë të përsëritur, procedura do të përfshijë pasoja administrative dhe penale ndaj drejtuesit të institucionit, si dhe do ngarkojë me veprime konkrete Kryetarin e Kuvendit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Kryeministrin, për të siguruar që kjo çështje të mos mbetet në vullnetin e lirë të strukturave.
Në projektligjin e paraqitur, janë qartësuar përgjegjësitë dhe pasojat për drejtuesit e institucioneve që shkelin ligjin. Kjo garanton një proces të rregullt ligjor për procedimin disiplinor të drejtuesit që ka shkelur ligjin.
Miratimi i kësaj nisme do të sjellë një administratë që respekton ligjin dhe që përgjigjet për çdo shkelje, duke forcuar rolin kontrollues të deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Besoj që projektligji do të gjejë mbështetje nga të gjithë deputetët e Kuvendit, pasi, në fund të ditës, nisma synon vetëm fuqizimin e secilit koleg deputet për të kryer sa më efektivisht punën në shërbim të qytetarëve që synojnë të përfaqësojnë.