Kryemadhi dhe deputetët e LSI-së votojnë kundër për Lindita Nikollën
Partia Demokratike nuk e voton Lindita Nikollën si kryetare të Kuvendit, dhe deputetët kanë krisur fletët e votimit. Por ndryshe veproi LSI-ja.
Monika Kryemadhi nuk e ka krisur fletën, por ka ushtruar të drejën e votimit të rregullt, duke votuar kundër. Edhe deputetët e LSI-së, Agron Çela dhe Erisa Xhixho e ushtruan të drejtën e votës, po ashtu edhe ata kundër.
Petrit Vasili sqaroi se vota e deputetëve të LSI-së është kundër. ”Votimi dhe vota kundër i të gjithë deputetëve të LSI-së për propozimin e Rilindjes për kryetar kuvendi është përgjigja e vetme ndaj çdo farse”,-shkruan në facebook Vasili.
Edhe aleati i Bashës, Vangjel Dule ka votuar në procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Kreu i PBDNJ-së edhe pse e mori mandatin në listat e PD-së, ka preferuar të votojë normalisht, ndonëse nuk dihet nëse vota e tij ishte kundër apo pro Nikollës.
Nga ana tjetër Mesila Doda e PDIU-së ka vepruar si deputetët demokratë dhe e ka grisur fletën e votimit. Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi nuk ishte në seancë gjatë votimit.