Kryemadhi: Do të çlirojmë ekonominë nga monopolet dhe do ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e Investimeve
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, deklaron se me punësimin është abuzuar dhe gënjyer shpesh nga qeveria “Rama”.
Dhe në këtë kontekst, Kryemadhi shprehet se për LSI-në punësimi është jetik për t’i kthyer besimin rinisë tek Shqipëria, si shtëpia jonë e përbashkët.
Mesazhi i Kryemadhit
Me punësimin është abuzuar dhe gënjyer shpesh. Të gjithë i kujtoni premtimet e pambajtura për 300 mijë vende pune!
Për ne punësimi është jetik për t’i kthyer besimin rinisë tek Shqipëria, si shtëpia jonë e përbashkët.
Ne do të çlirojmë ekonominë nga monopolet dhe do ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e Investimeve. Do të krijojmë Zonat e Lira Ekonomike dhe do të mbështesim drejtpërdrejtë krijimin e çdo vendi të ri pune për rininë dhe profesionistët.
Me programin Garancia Rinore do të mbështesim sipërmarrjen e lirë të profesionisteve të rinj në fushën e Teknologjisë dhe Inovacionit.
Do të mbështesim drejtpërdrejtë prodhimin vendas bujqësor e blegtoral dhe industrinë ushqimore, që shqiptarët të ushqehen me produktet e tyre cilësore.
Reforma në arsim do të përgatisë profesionistë të aftë për punësim dhe me paga dinjitoze.
Gjithë politikat tona do t’i shërbejnë punësimit!
Ne e mbajmë fjalën!
Shqipëria do të bëhet Shtëpia Juaj!