Kryemadhi: Do të jem deputetja e Lushnjes për të shlyer çdo borxh ndaj jush, ndryshimi vjen tek fëmija
Në kuadër të fushatës elektorale, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është ndaluar këtë pasdite në Lushnje. Në fjalën e saj, ajo tha se do të jetë deputete e Lushnjes për të shlyer çdo borxh ndaj qytetarëve. ”Ndryshimi nuk vjen duke i bërë elozhe politikës së vjetër, ndryshim nuk vjen duke u përkëdhelur tek kryetarët apo kryetaret e partive, ndryshimi nuk vjen duke u përçarë apo duke u përkëdhelur tek ish liderët, ndryshimi vjen tek fëmija ynë, tek shtëpia jonë, tek toka jonë. Ndryshimi vjen tek qyteti ynë, ndryshimi vjen me votën më 25 prill për numrin 6, për të votuar LSI-në. Sepse LSI-ja është partia e të rinjve dhe të rejave”,-tha Kryemadhi.
Pjesë nga fjala e Kryemadhit
Përshëndetje Lushnja! Në fakt sot mendonim se do të binte shi, por edhe Zoti e do LSI-në, e hapi qiellin. Motra dhe vëllezër, të rinj dhe të reja të qytetet të Lushnjes, unë jam deputetja që do të përfaqësoj LSI-në në qytetin e Lushnjes dhe jo vetëm që jam krenare, jo vetëm që e ndjej veten të mirëpritur dhe të respektuar që ditën e parë që kam ardhur këtu, nga Arditi, nga Rudina, nga Astriti, nga Gimi, nga Sara, nga Nori, nga Mitati, nga Egla, nga Ergi, nga Mirela. Por nuk është vetëm ky respekti, është që pas datës 25 prill unë jam borxhlie deri në fund me qytetin e Lushnjes, me të rinjtë dhe të rejat e Lushnjes, sepse detyrat tona janë aq të mëdhaja, përballë qytetarëve të Lushnjes, përballë banorëve të Lushnjes dhe të gjithë rrethinave, përballë vajzave dhe djemve të Divjakës, që sot i përfaqëson Sara këtu. Sepse ajo që është shumë e rëndësishme, është angazhimi i secilit nga ne, për t’i çuar gjërat deri në fund.
Lushnja ka qenë një qytet i cili e ka votuar LSI-në, jo vetëm Lushnja, por i gjithë qarku i Fierit. Gjithmonë që në ditët e krijimit të saj, qarku i Fierit i ka dhënë votë LSI-së dhe ka kërkuar që të përfaqësohet në Parlament me deputetë. Prandaj unë, Monika Kryemadhi si kryetare e LSI-së, kam ardhur dhe kandidoj në qarkun e Fierit, për të larë të gjitha borxhet ndaj qarkut të Fierit, ndaj jush, ndaj burrave dhe grave, ndaj fermerëve, ndaj të gjithë naftëtarëve në Fier, ndaj të gjithë të rinjve dhe të rejave, por më shumë ndaj familjeve tuaja, që ne në këto vite kemi lejuar djemtë dhe vajzat tuaja të largohen nga shtëpitë, sepse nuk kanë mundësinë e punësimit. Ky është një borxh, që unë si nënë, si vajzë, e marr përsipër përballë jush, sepse nëse ne nuk do të kuptojmë që herë pas here duhet të kthejmë kokën pas, për të parë ku ishim dhe ku jemi, për të kuptuar kush na jep dorën, për të kuptuar kush na ndihmon, për të kuptuar kush të do dhe suporton me të vërtetë, atëherë ne nuk kemi sjellë asnjë ndryshim.
Ndryshimi nuk vjen duke i bërë elozhe politikës së vjetër, ndryshim nuk vjen duke u përkëdhelur tek kryetarët apo kryetaret e partive, ndryshimi nuk vjen duke u përçarë apo duke u përkëdhelur tek ish liderët, ndryshimi vjen tek fëmija ynë, tek shtëpia jonë, tek toka jonë. Ndryshimi vjen tek qyteti ynë, ndryshimi vjen me votën më 25 prill për numrin 6, për të votuar LSI-në. Sepse LSI-ja është partia e të rinjve dhe të rejave. LSI-ja është familja e familjeve shqiptare, LSI-ja nuk është partia e kryetarëve. LSI-ja është partia juaj. Iku koha kur njerëzit thonin që votojmë emrin. Emrat ikin dhe vijnë, por vlerat, virtytet, solidariteti, janë ato që na mbajnë bashkë. I japim dorën njëri tjetrit, e ndihmojmë njëri tjetrin dhe i qëndrojmë njëri tjetrit. Ajo që ne duhet të kuptojmë më shumë se kushdo tjetër, është që, që nga Shkodra deri në Sarandë, kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim janë një, janë të gjithë bashkë, janë lista fituese e Lëvizjes Socialiste për Integrim.