Kryemadhi: Duhet pakt kombëtar për të zgjidhur këtë krizë
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një lidhje live nga zyra për emisionin “Opinion” deklaroi se duhet pakt kombëtar për të zgjidhur këtë krizë.
Duke folur për hapjen negociatave kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ironizoi kryeministrin Edi Rama se ka festuar vitin e kaluar për hapjen e negociatave.
Për kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim situate aktuale kërkon një pakt kombëtar që të çojë përpara rrugën integruese të Shqipërisë.
“Duhet të flasim se ku është e ardhmja e Shqipërisë sot dhe cila është rrugëzgjidhja. Ka vetëm një rrugë faktikisht! Ju kujtoj që në një transmetim tuajin përpara disa muajsh ju kam treguar statusin e z. Rama, statusin e Knut Fleckenstein, Romana Vlahutin, Donald Tuck që hapën shishen e shampanjës, vetëm kënga e Getoarit u ngeli pa e kënduar “Të lagi me shampanjë” për hapjen e negociatave. Jam shumë dakord me atë që z. Bushati tha, që ishte Pakti Kombëtar. E vetmja mënyrë për të arritur atë që duhet është Pakti Kombëtar. Ne si LSI e kemi artikuluar paktin Kombëtar që në 2017-n. Pakti Kombëtar është shumë i thjeshtë, ku ne si LSI, por edhe z. Basha, në komunikimet që ka pasur edhe me ndërkombëtarët, që para protestës së studentëve, ka qenë çështja e hapjes së negociatave për në qershor të 2018-s. është diskutuar edhe me ndërkombëtarët dhe e vetmja negociatë që diskutohej ishte largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike, e cila kishte një agjendë shumë të qartë përsa i përket çështjes së negociatave. Pakti Kombëtar është edhe miratimi i Reformës në Drejtësi dhe ne do ti kishim hapur negociatat nëse ne do të vazhdonte Reforma në Drejtësi në të njëjtën frymë që u miratua më 21-22 korrik. Por, çfarë ndodhi? Ndodhi që ata nuk e donin këtë reformë dhe sot e kanë hanxhar mbi kokën e tyre”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo ka akuzuar edhe Ministrinë e Financave për mungesë transparence, duke u shprehur se shumë shpejt administrata shtetërore do të mbetet pa rroga.
“Të mos harrojmë kolapsin ekonomik që do tu ndodhi shumë shpejt, ku do të ngelen shqiptarët pa rroga dhe pensionistët pa pensione. Kjo është akoma më e rëndë, që fshehja e transparencës në Ministrinë e Financës për thesarin është një krim tjetër”, tha Kryemadhi.
Fevziu: Si do të ngelen pa rroga zonja Kryemadhi, se ky është panik?
Kryemadhi: Po po pa rroga do ngelen, nuk është panik ky. Le të ma dërgojë policinë tani mua siç ia dërgoi Çim Pekës për panik. Këtë le ta tregojë edhe njëherë, të zbardhë faqen Ministria e Financave, që e ka të detyruar me ligj për të treguar gjendjen e saj se si është buxheti i shtetit. Të tregojnë të ardhurat se çfarë ndodh.’