Kryemadhi ironizon inspektimet e deputetëve te inceneratorët: Grup i strukturuar kriminal me zyrtarë shtetëror

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka ironizuar inspektimet e deputetëve si të maxhorancës dhe të opozitës te inceneratorët, ku thotë se ato po sillen si të jenë oficerë policie. Kryemadhi akuzon se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal me zyrtarë shtetëror. ”Faktet LSI i ka dorëzuar të plota në SPAK dhe mbetemi besimplotë se sado të vonohet në kohë, asnjë prokuror dhe gjyqtar me integritet nuk do mundet t’i anashkalojë shkeljet ligjore trashanike që zyrtarët dhe miqtë e tyre kanë kryer”,-shkruan Kryemadhi në facebook.

Postimi i plotë

Të dashur qytetarë, video eskursionet e deputetëve në vend ndërtimet e inceneratorëve, që zbarkojnë në mënyrë pompoze, si të jenë oficerë policie në vendin e krimit, janë tërësisht të panevojshme për zbardhjen e të vërtetës.

Ky grup i strukturuar kriminal me zyrtarë shtetëror, i përfshirë tek afera e inceneratorëve, e ka konsumuar veprën penale nga komoditeti i karrigeve të tyre në zyrat e shtetit! Faktet, që LSI ka bërë publike prej kohësh, nuk gjenden duke parë muret e kapanoneve por janë lehtësisht të aksesueshme nëse lexohen letrat e procedurës dhe ndiqet rruga e parave.

Faktet LSI i ka dorëzuar të plota në SPAK dhe mbetemi besimplotë se sado të vonohet në kohë, asnjë prokuror dhe gjyqtar me integritet nuk do mundet t’i anashkalojë shkeljet ligjore trashanike që zyrtarët dhe miqtë e tyre kanë kryer. Po risjell edhe njëherë në kujtesën tuaj, e mbi të gjitha të drejtësisë, se e njëjta sekuestro preventive që është zbatuar nga SPAK për rastin e Elbasanit, duhet të zbatohet pa humbur kohë edhe për 2 të tjerët.

Inceneratori i Fierit dhe ai i Tiranës duhet të ishin prej kohësh të bllokuar, ashtu siç duhet të ishin bllokuar edhe pagesat e qeverisë për to! Shikoni dhe njëherë se si, të njejtat kompani fiktive që zyrtarët i kanë përdorur në rastin e Elbasanit për të marrë përfitime të parregullta monetare, janë përdorur edhe në inceneratorin e Tiranës dhe Fierit. Koha për veprim!

SHKARKO APP