Kryemadhi: Këshilli Politik detyroi Ramën të pranojë që parlamenti është ilegjitim. Gati për zgjedhje

Gjatë fjalës së saj, në një takim me strukturat e partisë në Korçë, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar ndër të tjera për Këshillin Politik, që sipas saj, detyroi kryeministrin Edi Rama që të pranojë që parlamenti është ilegjitim.

Pjesë nga deklarata

Të gjithëve ju, ju erdhi e papritur dakordësimi, ngritja e Këshillit Politik. Ngritja e Këshillit Politik solli një gjë ndryshe, solli atë që duhet ta kuptojmë që të gjithë. Shumë veta thonë po këtë Këshillin Politik pse nuk e ngritët kur ishit në Parlament. Ky Këshill Politik nuk mund të ngrihej kur ne ishim në Parlament, sepse ai Parlament nuk përfaqëson votën e shqiptarëve. Ai Parlament përfaqëson votën e blerë me paratë e bandave dhe të krimit të organizuar. Ai Parlament përfaqëson kapjen e shtetit. Ai Parlament përfaqëson vetëm shkeljen e çdo të drejtë të qytetarëve shqiptarë.

Të gjithë na gjykuan për veprimin radikal të opozitës, por ne si opozitë e morëm atë vendim as për të krijuar idenë që ne jemi radikal dhe s’kemi zgjidhje tjetër, as për të thënë që ne po bëjmë një veprim për të kushtëzuar Edi Ramën. Ne si opozitë e bashkuar dogjëm mandatet gati një vit më parë, për të qenë qytetarë të thjeshtë si të gjithë shqiptarët që vuanin nën regjimin diktatorial dhe kriminal të Edi Ramës. Dhe sot pas një viti kemi një Edi Ramë që nuk njeh Parlamentin, kemi një Edi Ramë që nuk njeh levat dhe përdoruesit e tij për të ndryshuar realitetin shqiptar, kemi një Parlament i cili përfundimisht e pranoi që është ilegjitim, atë që opozita shqiptare e thoshte shumë kohë më përpara.

Sot kemi një realitet tjetër, sot kemi një Shqipëri që të gjithë së bashku duhet të bëhemi gati për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, sepse vetëm zgjedhjet janë ato që i hapin rrugën integrimit europian. Vetëm zgjedhjet janë ato që dënojnë me votë krimin e organizuar, sektin e rilindjes, që ka kapur jo vetëm Partinë Socialiste, por që ka kapur dhe të ardhmen e shqiptarëve.

SHKARKO APP