Kryemadhi: Konventa Kombëtare e LSI shtyhet për shkak të pandemisë
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi njoftoi sot shtyrjen e Konventës Kombëtare të kësaj force politike. Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi tha se për shkak të situatës së krijuar në vend nga pandemia e kronavirusit, drejtuesit e LSI kanë vendosur që aktivitetin ta zhvillojnë në një moment të dytë.
Pak javë më parë, LSI zhvilloi zgjedhjet brenda partisë për kryetarin dhe delegatët e Konventës Kombëtare. Mbledhja e Konventës Kombëtare do të zgjidhte Kryesinë e re dhe sekretarët e kësaj force politike.
Deklarata e plotë e Kryetares së LSI-së
Të dashur anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim;
Simpatizantë dhe votues të saj të shumtë anë e mbanë vendit dhe gjithkund tjetër ku jetoni dhe punoni në mbarë botën;
Në kushtet e përkeqësimit të vazhdueshëm të situatës prej pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi covid -19 dhe efektet e mëdha negative të ndikimit të tij jo vetëm në jetën e gjithësecilit prej nesh, por edhe në të gjithë jetën e vendit;
Në kohën kur do të duhej që e gjithë vëmendja dhe angazhimi shtetëror, kur qeveria dhe institucionet në varësi të saj, të kishin në fokusin e angazhimit dhe veprimtarisë së tyre mbrojtjen e jetës së çdo qytetari shqiptar dhe marrjen e masave lehtësuese në rrethanat e pamundësisë së ushtrimit të aktivitetit në kushte normale;
Përballë fakteve e dëshmive të shumta rrënqethëse, kur mosveprimi dhe përpjekja për të bërë fajtor qytetarin e thjeshtë e të pambrojtur është bërë vijësjellje e qeverisë;
Me përgjegjësinë dhe autoritetin që më jep statuti i partisë, si Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroj se kam vendosur të shtyj për në një kohë tjetër mbajtjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e parashikuar të mblidhej më datën 5 dhjetor 2020;
Duke qenë e bindur në mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj për vendimin që po shpall sot publikisht, dua të theksoj se solidariteti dhe bashkëveprimi, vendosmëria dhe guximi qytetar, humanizmi, dashuria për njeriun dhe respekti për jetën e gjithësecilit, mirënjohja për njerëzit e sakrificës dhe për të gjithë ata që shërbejnë në kushte skandaloze, edhe pse janë në vijën e parë të luftës me të keqen, janë e do të mbeten busulla e orientimit të çdo qëndrimi dhe vendimi të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Vendimi për shtyrjen e mbajtjes së Konventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk e afekton veprimtarinë e përditshme të strukturave tona në të gjitha nivelet e në të gjithë vendin.
Trupa e delegatëve përfaqësues nga çdo bashki, si strukturë legjitime e zgjedhur me parimin “një anëtar – një votë” në zgjedhjet e 21 nëntorit, shndërrohet në shtabin elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim për bashkinë respektive, dhe do të vazhdojnë pa asnjë ndërprerje nën drejtimin e të deleguarve në çdo qark, përmbushjen e detyrave të parashikuara në kalendarin tonë politik dhe elektoral.
Të dashura motra,
Të dashur vëllezër shqiptarë!
Të gjithë ne, por dhe e mbarë bota, po përballemi me një situatë të paprecedentë.
Prandaj, Lëvizja Socialiste për integrim, që prej kur u shfaq pandemia e në vijimësi, ka refuzuar të bëjë politikë me pandeminë.
Por ndërkaq, nuk do të lejojmë askënd që pandeminë ta përdorë për politike.
Vendimi im për të shtyrë mbledhjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është njëherësh edhe shenjë homazhi për ata që kanë humbur jetën prej pandemisë, është solidaritet më të gjithë qytetarët që po përballojnë me njëmijë e një sakrifica dhe pa mbështetjen e shtetit, kostot e mëdha të luftës për jetën dhe në emër të dashurisë për jetën.
Në emër të dashurisë për jetën, unë ju ftoj sot që ta duam më shumë njeri-tjetrin dhe t’i gjendemi në krah në këtë kohë të vështirë çdo njeriu në nevojë.
Eshtë koha ta mundim të keqen, është koha të fitojmë mbi të keqen dhe ne të gjithë bashkë do t’ia dalim!
Zoti ju ruajttë ju të gjithëve!
Zoti e ruajttë Shqipërinë!