Kryemadhi: Luan Rama po thyen Rilindjen në Vlorë, thashethemet janë tentativë për përçarje

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ftuar në ”Real Story”, tha se Luan Rama po thyen Rilindjen në Vlorë. Sipas saj, për herë të parë dhe falë Luan Ramës, po dalin në pah problematikat që ka qyteti. Sipas saj, të gjitha paratë e hedhura nga kryeministri Edi Rama nuk kanë shkruar për qytetarët. Ajo tha se do të jetë të shtunën në Vlorë në një takim spektakolar bashkë me Luan Ramën dhe të gjithë kandidatët e LSI të këtij qarku.

”Z. Luan Rama është Zëvendëskryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai ka ngritur gjithë atë punë që është bërë atje. Normalisht që gjithë thashethemet dhe gjërat e tjera që mund të ndodhin, janë sigurisht të subvencionuara nga grupe të caktuara, të cilat në një farë mënyre krijojnë edhe xhelozira. Për shembull një nga problemet qenka se përse z. Luan Rama nuk shaka Afrim Qendron apo Damian Gjiknurin. Gazetarët e thonë këtë që përse z. Rama nuk shan këtë apo atë. Mendoj që është edhe një xhelozi tjetër përsëri e madhe që do të ishte një lloj hapësire për të denigruar apo për të krijuar një përçarje midis kandidatëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Vlorë, duke pasur parasysh që numri dy është Grisejda Myslimi që është pedagoge në Universitetin Evropian, që është një vajzë shumë e mirë, e jashtëzakonshme e pozitive, një vajzë e re me hapësira pa fund”,-tha Kryemadhi.

Pra ka vetëm një thashethemnajë dhe nuk ka asgjë të vërtetë?

”Jo vetëm që është thashethemnajë, por është edhe subvencion dhe investim psikik mund ta quaj, i Rilindjes, në lidhje me ç’ fokusimin dhe çorientimin e gjithë asaj pune të palodhur që është bërë atje. Unë do të jem ditën e shtunë në Vlorë, ku do të kem takimin e madh të të gjithë kandidatëve të LSI-së në qarkun e Vlorës. Kam qenë në datën 3 prill në Vlorë, kemi pasur një takim të jashtëzakonshëm. Kam qenë po ashtu në takime në Borsh, në Himarë, në Ksamil, ky fryma po ashtu është e jashtëzakonshme. Një nga ndryshimet që ka sot e gjithë lista e kandidatëve të LSI-së është që kandidatët e LSI-së nuk kanë qëllimin për të thyer listën siç e ka Rilindja, kandidatët e LSI-së sot kanë për qëllim që të marrin sa më shumë vota dhe të jetë e pashmangshme, të jetë shah mat e gjithë loja dhe tepsia që kërkon t’i ofrojë Edi Rama shoqërisë shqiptare, por edhe mediave”,-tha më tej.

SHKARKO APP