Kryemadhi-ministres së Financave: E dinit që ishin kompani fiktive, por i paguat deri në vitin 2020
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi doli sërish në një deklaratë për shtyp, ku iu përgjigj Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj. Kryemadhi tha se ministrja Ibrahimaj e dinte që kompanitë janë falso, por që qeveria nuk i ka kontrolluar magazinat e këtyre kompanive.
“Ka një reagim pas kaq kohësh, por jam e bindur se në deklaratën e saj ka shumë luhatje. I kërkoj ministre të tregojë çfarë transparence është bërë në inceneratorin e Tiranës.
Nuk është i realizuar dhe nëse jo, a mund të thotë ministria sa paguar deri tani. Këto 47 mln euro që janë paguar, për çfarë kanë shërbyer? Kjo është detyrë kryesore e Ministrisë së Financave për të shpjeguar se ç’bëhet me paratë e buxhetit. Unë e di mirë dhe s’ka nevojë të ma thotë ministrja se kompanitë që kam denoncuar janë falso, që nuk kanë mallra në magazinë dhe as njerëz të punësuar.
Kemi kontrolluar, në bazë të dokumentacionit që kemi, që këto kompani kanë shërbyer për të bërë gjithë evazionin fiskal të Klodian Zotos dhe kompanive të tjera. A i keni kontrolluar magazinat e këtyre kompanive? Pyes unë sot ministren e Financave”.