Kryemadhi në Vlorë: Rama nxori gjithë fjalorin kundër vëllezërve tanë në Kosovë
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka folur sot nga Vlora në një takim me aktivin edhe për deklaratat e kryeministrit Edi Rama për Kosovën. Ajo tha se nuk ka parë asnjë lider në Shqipëri që të nxjerrë gjithë fjalorin kundër vëllezërve kosovarë.
“E kam jetuar dhe atë sistem edhe këtë, kam jetuar dhe tranzicionin, kam jetuar dhe qeverisjen e PS dhe të LSI, kam jetuar dhe opozitën e PS, kam jetuar shumë kohë, por nuk kam parë një lider që të nxjerrë gjithë fjalorin që ka kundër vëllezërve tanë në Kosovë, kushdo qofshin ata. Ju në Vlorë mund ta ndjeni më shumë se kushdo tjetër sepse historia e Vlorës është e lidhur ngushtë me historinë e Kosovës. Historia e kryeministrit tonë që u çudita shumë që e donte shumë Shqipërinë dhe e konsideronte si shtëpinë e tij, duhet të kuptojë se Shqipëria e Kosova janë një. Nuk kam parë një njeri që t’ia falë tokat e tij një tjetri dhe pikërisht aty ku ka lindur dhe është rritur e qetësohet Isa Boletini”, tha Kryemadhi.
Pjesë nga fjala e Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi nga takimi me strukturat në Vlorë
Po të vish dhe të kalosh tranzit nga Vlora. Por në jetën e vërtetë është shumë e çuditshëm sesi këto investime, këto miliona e miliona euro nuk ka pas absolutisht asnjë lloj impakti në xhepin e një qytetari vlonjat. Kur po vija pyeta disa miq, thash t’ju bëj një pyetje, si është situata me punësimin në Vlorë, skandal më thanë, thashë mos e kanë nga inati këta se janë pak si me LSI-në, jo jo ashtu është e vërteta. Po ekonomia, skandal.
Po a lëviz tregtia, skandal. Po gjithë këto para që u sollën këtu dhe u investuan nuk patën impakt në xhepat e vlonjatëve, gjithë këto rrugë që u shtruan, nuk i morën punëtorët nga Vlora që këto para me të cilat u bënë gjithë këto investime në Vlorë të shkonin dhe të paguheshin pagat dhe rrogat qofshin këto për shoferë, për naftën, për inxhinierë, për punëtorët e krahut, për teknikë të mesëm të shkonin para në xhepat e vlonjatëve, absolutisht jo. Sepse edhe projektet me të ashtuquajtura tenderët e Edi Ramës vinin të kaparuara më përpara me kompani fiktive nga rrethet të cilat nuk ekzistonin. Pra bëheshe thjesht një qarkullim i parave në një xhep që z. Rama i vetëm e di se ç’është ai xhep. Dhe me gjithë atë ajo që të bën përshtypje është që vazhdon me hipokrizinë e tij ku ndihet shumë krenar që Shqipëria është më mirë, që është në një realitet jo të vërtetë, është në një realitet virtual sepse me sa duket i pëlqen realiteti virtual.
Ndihem shumë mirë kur mbas kaq kohësh që ne prej një viti e gjysmë, ju besoj të gjithë e lexoni që kemi një slogan “Shqipëria, Shtëpia jonë” dhe ne e kemi thënë dhe jo e kemi thënë thjesht në kuadrin e një sloganit por e kemi biseduar dhe kemi diskutuar gjatë për të sepse vërtetë mendojmë që Shqipëria është shtëpia jonë, dhe vërtetë mendojmë që ne duhet të jetojmë në Shqipëri. Sepse nuk ka asgjë të pazakontë përderisa vetë zoti na ka vendosur në mes të botës ku është Shqipëria që është një vend i bekuar, mjafton të shikosh bregdetin e Vlorës dhe jo vetëm që çuditesh por ekzaltohesh në aspektin më të mirë të bukurisë që të jep dhe të gjithë asaj emocioni që të përshkruan me çiltërsi dhe pastërti e detit Jon.
Mjafton që të shikon ku aty ku ke malin ke dhe detin, mjafton të shikosh lagunat, mjafton të shikosh pyjet, mjafton të shikosh çdo gjë dhe çdo gjë është si e vendosur me dorë nga zoti. Dhe normal që shtëpia jonë është Shqipëria. Por si mund të presësh që një Kryeministër që e shkatërron vendin të thotë që shtëpia jonë është Shqipëria. Por a keni parë njeri ju që të shkatërrojë shtëpinë e tij, a keni parë ju një njeri që të vjedhë shtëpinë e tij, a keni parë ju një njeri që jo vetëm ta vjedhë dhe ta shkatërrojë shtëpinë e tij por edhe ta shaj.
Nëse Shqipëria do të ishte shtëpia e Edi Ramës apo e dikujt tjetër, të jeni të bindur që vetëm një i çmendur mund t’ia bëj këto gjëra, që ja bën Edi Rama shtëpisë së vet Shqipërisë. Një njeri normal nuk do të bënte kurrë atë çfarë ka ndodhur. Një njeri normal edhe pse mund të kemi mos marrëveshje midis motrës me vëllain apo vëllai me vëllain e ruan dhe e mban brenda shtëpisë së tij konfliktin, por nuk e nxjerr jashtë. Unë nuk jam shumë e vjetër, por as shumë e re nuk jam, jam 45 vjeç rrugës për 46, e kam jetuar dhe atë sistem dhe këtë sistem, kam jetuar dhe tranzicionin, kam jetuar dhe qeverisjen e Partisë Socialiste, kam jetuar dhe qeverisjen e LSI-së, kam jetuar dhe opozitën e Partisë Socialiste, i kam jetuar të gjitha kohërat. Por nuk kam parë asnjë lider qoftë të asaj kohe por qoftë edhe të kohës tjetër të tranzicionit që të nxjerri gjithë fjalorin që ka kundër vëllezërve tanë që janë në Kosovë që nga Hashim Thaçi e deri tek Albin Kurti. Ju në Vlorë mund ta ndjeni më shumë se në një rreth tjetër sepse historia e Vlorës është e lidhur ngushtë me historinë e Kosovës sepse dhe Vlora është e lidhur dhe e njehësuar e tëra me historinë e flamurit tonë.
Ne sot kemi flamurin tonë, i cili valëvitet dhe që është ngritur nga Ismail Qemali në mes të Vlorës dhe që i dha dinjitet, emër dhe shtet shqiptarëve. Dhe ky shtet sigurisht që pati në mbështetjen e ngritjes së tij vëllezërit tanë kosovar, Isa Boletinin me burrat e tij, të cilët siguruan rrugën e Ismail Qemalit për të ardhur në Vlorë dhe për të ngritur flamurin.
E pra historia e Kryeministrit tonë që u çudita shumë që e donte Shqipërinë dhe e konsideronte Shqipërinë shtëpinë e tij duhet të kuptojë që si Shqipëria, si Kosova janë një, nuk mund të jenë veç. E pra kur Shqipëria dhe Kosova janë shtëpia jonë, unë nuk kam parë ndonjë njeri që t’ia falë tokat e tij dikujt tjetër dhe pikërisht aty ku ka lindur dhe është rritur dhe qetësohet Isa Boletini.
Si mundet që Isa Boletini, njeriu i dytë pas Ismail Qemalit që ngritën flamurin në Vlorë të kalojë dhe eshtrat e tij të jenë në territor serb dhe të thuash që Shqipëria qenka shtëpia ime.
Do të ishte shumë e rëndë në radhë të parë për ne shqiptarët, por do të ishte dhe shumë e rëndë për historinë tonë sepse në fund të fundit ne jemi një popull shumë i vogël, por jemi një popull shumë vital. Ne jemi një popull që për hir të së vërtetës i kemi mbijetuar sulmeve nga më të ndryshme, qofshin ato sllave, arabe dhe të tjera me radhë dhe kemi qëndruar për histori, por jo vetëm për histori, por kemi qëndruar dhe si një mbijetesë e fortë e të gjitha këtyre sundimeve që i kanë ardhur rreth e qark Shqipërisë.
Prandaj sot të diskutosh një çështje të tillë është shumë e vështirë. Dhe atë që thash që jemi një popull i vogël dhe vital na bën ndonjëherë të duket në pamje të jashtme si të pamundur betejën më kombet e tjera më të mëdha. Na e bën si të pamundur betejën përballë interesave që mund të kenë shtetet e tjera në marrëdhënie midis Shqipërisë, Serbisë apo dhe shumë vendeve të tjera, por një gjë është shumë e rëndësishme, ne e dimë shumë mirë që ky popull i vogël dhe vital gjithmonë ka qenë çelësi i qetësisë dhe i stabilitetit në rajon, dhe jo vetëm në rajon, por dhe më tutje dhe prandaj këtë çelës të artë që shqiptarët e kanë për stabilitetin në rajon, Edi Rama nuk mund ta thyejë për të krijuar atë destabilitet, të cilin e ëndërron prej kohësh dhe për ta kthyer në favor të trafikimit grupeve të tyre kriminale, të cilat e suportojnë dhe e mbajnë fort.