Kryemadhi pas kthimit nga SHBA: Qëndrimi i Amerikës, larg duart e politikës nga sistemi i drejtësisë
Pak pas kthimit nga vizita në SHBA, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi në një konferencë për mediat se situata kritike ku ndodhet vendi ishte në qendër të gjithë takimeve në SHBA.
E pyetur për mundësinë për shpërndarjen e parlamentit, e lënë të kuptohet nga artikulimi i Presidentit Ilir Meta, Kryemadhi u përgjigj: “Unë nuk mendoj se Shqipëria ka nevojë për emra të përveçëm. Ngritja e GJK është një hap për zgjidhjen e këtij problemi. Nisja e punës së GJK do jetë garanci për opozitën. Dua të theksoj se SHBA kanë vetëm një qëndrim, larg duart e politikës nga sistemi i drejtësisë që pandëshkueshmëria të mos jetë më vlerë e qeverisjes, të ndëshkohen ata që shkelin ligjet dhe janë të përfshirë në proceset korruptive që kalon sot vendi”.
Kryemadhi tha se në takimet në SHBA kriza politike ka qenë në qendër të shqetësimit të partnerëve amerikanë. “Sapo jam kthyer dhe dua të ndaj informacionet për vizitën dhe atë që partnerët ngritën si shqetësim. Kriza e rëndë politike ishte në qendër të të gjitha takimeve me zyrtarë amerikanë dhe me komunitetin shqiptar. E gjithë Shqipëria ka vëmendjen e Uashingtonit, na bën të jemi optimistë dhe të kemi besim se situata dhe zgjidhja që do ofrohet nga partnerët do jetë në funksion të qytetarëve shqiptarë. Tani SHBA ka një vëmendje të shtuar dhe më të intensifikuar për Shqipërinë dhe rajonin në tërësi. Tjetër lajm i mirë është dëgjesa që do bëhet shumë shpejt në kongresin amerikan për rajonin dhe Ballkanin”, tha Kryemadhi.
Lidhur me debatin për Gjykatën Kushtetuese, Kryemadhi u shpreh se reforma në drejtësi nuk u bë që Edi Rama, Ardian Dvorani dhe Ëngjëll Agaçi të emërojnë gjyqtarët.