Kryemadhi: PD, LSI dhe gjithë opozita janë për reformë zgjedhore, Rama, i vetmi që është kundër

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në takimin e mbajtur sot me strukturat e LSI në Elbasan, deklaroi se kryeministri Edi Rama është politikani më i interesuar që të mos ketë reformë zgjedhore. Kryetarja e LSI tha se qëndrimi i opozitës është shumë i qartë për nevojën e reformës zgjedhore, e cila sjellë dhe zgjedhjet e parakohshme.

Kryemadhi tha se “ka një njeri, i cili nuk do që kjo gjë të ecë sepse duke mbyllur Reformën Zgjedhore, sigurisht që z. Rama i vjen hapi i dytë i Reformës Zgjedhore që janë zgjedhjet. Megjithatë ky nuk është problemi ynë. Problemi ynë është që Shqipërisë t’i garantohen hapja e negociatave. Pse e them hapja e negociatave? E them sepse hapja e negociatave është procesi më i rëndësishëm për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar sepse nëse Shqipëria do të marrë një tjetër jo në hapjen e negociatave, atëherë e ardhmja e Shqipërisë do të vihet në diskutim. Vihet në diskutim për shkak të shpopullimit masiv që do të ndodhë. 57% e të rinjve shqiptarë që kanë ikur, ikin sepse nuk gjejnë besimin dhe nuk kanë siguri ër zhvillimin e të ardhmes së tyre, për krijimin e kushteteve të punës, për krijimi ne investimeve, për krijimin e biznesit apo për krijimin e familjes së tyre”,- tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI u shpreh se qëndrimi i PD, LSI dhe aleatëve të tjerë opozitarë është i qartë për të miratuar sa më shpejt ndryshimet në Kodin Zgjedhor. “Ashtu siç e ka bërë të qartë dhe z. Basha që është Kryetari i Partisë Demokratike dhe drejtuesi i frontit opozitar, ne si opozitë jemi të gatshëm për të ecur përpara përsa i përket të gjitha propozimeve të reformës zgjedhore duke menduar që është shumë e rëndësishme mbyllja e detyrave të shtëpisë dhe angazhimi dhe obligimet që ka opozita shqiptare në marrëdhënie me kushtet e Bundestagut dhe ne jemi ta gatshëm dhe kemi qenë të gatshëm që me 1 dhjetor për të paraqitur propozimet tona dhe janë gati sepse në këtë situatë, në të cilën ne po kalonim pas tërmetit jemi në procesin e përgatitjet dhe të vazhdimit më tej”,- deklaroi kryetarja e LSI.

Ajo u shpreh se gjatë një viti Rama ka bërë çmos që të mos realizohet asnjë nga kushtet e Bundestagut Gjerman. “Unë në fakt do dëshiroja të flisnim goxha gjatë për këtë proces, por ky është një proces qe vjen hap pas hapi. Është një proces që Bundestagu gjerman, por dhe Këshilli i Bashkimit Europian i ka bërë shumë të qartë 9 kushtet, të cilat ne i quajmë sot 9 nënkushtet e Bundestagut që janë shumë të rëndësishme duke filluar që nga miratimi i Reformës Zgjedhore dhe më pas implementimin e saj për t’i dhënë fund krizës politike në të cilën jemi”,- tha Kryemadhi.

SHKARKO APP