Kryemadhi prezanton kandidatët: Elbasanin nuk mund ta marrë peng Rama dhe Balla

Këtë të martë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka prezantuar kandidatët për deputet në qarkun e Elbasanit, qark ku Kryemadhi e udhëheq pasi është e para e listës. Teksa ka prezantuar kandidatët Sindi Laloshi, Franko Akilja dhe Sindi Qafleshi, kryetarja e LSI-së tha se qyteti i Elbaanit nuk mund të jetë peng i kryeministrit Edi Rama dhe i Taulant Ballës.

Pjesë nga fjala e Kryemadhit

E jona nuk është listë, por është një skuadër. Është një ekip fitues. Nuk ka të bëjë me renditjen, nuk ka të bëjë me vendosjen, nuk ka të bëjë me emrin, por ka të bëjë me ekipin, frymën e ekipit, sepse fryma e ekipit është ajo që i jep fitoren gjithë skuadrës.

Në fakt e vlerëson jashtëzakonisht shumë faktin që, edhe kur e kemi diskutuar, ekipi i Elbasanit është 80 për qind feminist, që nuk ka asgjë të keqe, por edhe këtë 20 për qindëshin që e ka, e ka të ëmbël. Por, është ekipi i gjithë të rinjve dhe të rejave që ju përkrahin, që ju mbështesin në kandidaturat tuaja.

Dhe unë do t’ju ftoja që të vazhdoni rrugën që keni nisur, çojeni deri në fund, pasi jam e bindur që do ta realizoni qëllimin tuaj. Dhe ky Elbasani që sa i vështirë duket, aq i kollajshëm është, sepse çdo njeri, kushdo qoftë, do të bëjë çdo gjë për fëmijën e tij dhe unë jam e bindur që varfëria, shfrytëzimi, tjetërsimi i njerëzve ka bërë që Elbasani të bëhet kaq i zymtë, por që brenda vetes gjithë ajo energji pozitive është e fshehur sot për momentin, por më 25 prill do të shpërthejë për të shpëtuar të gjithë.

Elbasanin nuk mund ta marrë peng as Edi Rama, as Taulant Balla dhe askush tjetër. Elbasani është i elbasanllinjve dhe Elbasanin do ta shijojnë të gjithë shqiptarët, duke qenë vetë elbasanllinjtë që do të ofrojnë atë mikpritjen, të gjithë atë mirësi dhe kulturë që mbart ky qytet. Dhe unë jam e bindur për këtë dhe besoj vërtet, sepse e njoh Elbasanin shumë mirë me virtytet e veta.

SHKARKO APP