Kryemadhi publikon videon nga pritja e mbështetësve: Këtë entuziazëm të mrekullueshëm dhe energji pozitive vetëm Korça mund ta dhuronte
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka publikuar një video nga pritja e mbështetësve të kësaj force në qytetin e Korçës.
Teksa iu thotë të thërrasin Shqipëri, Kryemadhi iu bën thirrje qytetarëve t’i japin dorën njeri-tjetrit dhe më 25 prill të votojnë ndryshimin.
“Ky entuziazëm i mrekullueshëm, kjo energji pozitive, kjo çiltërsi dhe kjo dashuri vetëm Korçë mund ta dhuronte në këto ditë të bukura të cilat po trokasin në dyert e Shqipërisë. Do t’ju lutesha të thërrisnit Shqipëri sepse Shqipëria është shtëpia jonë. Shqipëria është vendi ynë, Shqipëria është gjëja më e shtrenjtë që ka secili nga ne. Sepse fjala më e shtrenjtë për ne nuk është ‘Rama ik’, fjala më e shtrenjtë është Shqipëria. Gjëja më e shtrenjtë është flamuri ynë kombëtar. Sot kemi më shumë nevojë se kurrë për t’i dhënë dorën njeri-tjetrit, për të trokitur derë më derë, për të vajtur shtëpi më shtëpi, për t’i thënë njerëzve që të marrin kartat e identitetit në dorë dhe më 25 prill të drejtohen në kutitë e votimit dhe të votojnë. Të votojnë ndryshimin, të votojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre, të votojnë numrin 6, të votojnë LSI”, deklaron Kryemadhi.