Monika Kryemadhi: Ramës i pëlqejnë koalicionet parazgjedhore, por nuk i shkon njeri. Ndaj synon të mos lejojë koalicionin e Opozitës së Bashkuar dhe të rrëzojë Marrëveshjen

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi sonte në emisionin “Opinion” te Blendi Fevziu se marrëveshja për reformën zgjedhore po sabotohet nga kryeministri Edi Rama.

“Opozita e ka kryer detyrën e saj për reformën zgjedhore, reforma po bllokohet qëllimisht nga Edi Rama”,- tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI foli dhe për koalicionet parazgjedhore. Ajo deklaroi se opozita do të shkojë e bashkuar në zgjedhje.  “Ne si opozitë e bashkuar kemi qëllimin që të krijojmë besimin tek qytetarët shqiptarë që do të shkojmë drejt një procesi zgjedhor, i cili do të krijojë mundësinë e krijimit të një sistemi të ri demokratik, për të cilin shqiptarët kanë nevojë”,- tha Kryemadhi.

Pjesë nga intervista e kryetares së LSI në emisionin “Opinon”:

Pyetje: Znj. Kryemadhi, opozita do të shkojë e bashkuar në zgjedhje?

Kryemadhi: Patjetër. Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë se ka një marrëveshje të nënshkruar më 23 prill nga të gjitha partitë e opozitës së bashkuar që kanë marrë angazhimin për të marrë pjesë në zgjedhje si front i bashkuar opozitar.

Pyetje: Do shkojnë si koalicion? Sepse Rama sot tha që nuk i preferon koalicionet. Në qoftë se votohet jo me koalicione, si do veproni? Do shkoni me një listë?

Kryemadhi: Z. Fevziu ne nuk ndajmë të gjithë të njëjtat dëshira sepse edhe për standardin e jetës dhe për stilin e jetës që kemi zgjedhur, nuk i kemi të njëjta. Kështu që, ne nuk mund të kemi gjëra të përbashkëta. Nëse z. Rama nuk i pëlqen koalicioni, të tjerët mund t’i pëlqejnë koalicionet. Edhe z. Rama nuk është se nuk i pëlqen koalicioni, por nuk i shkon njeri për të bërë koalicion dhe ndaj e thotë që nuk i pëlqen koalicionet.

Pyetje: Pra, LSI do të shkojë në zgjedhje në një koalicion të madh?

Kryemadhi: Po, patjetër me një koalicion të madh.

Pyetje: A do t’i hapeni dhe partive të tjera që do duan t’i bashkohen kësaj opozite?

Kryemadhi: Patjetër që do të hapemi.

Pyetje: Me çfarë kriteresh?

Kryemadhi: Me kritere shumë të thjeshta që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor për t’u ofruar shqiptarëve një parlament legjitim, pra t’u ofrojmë shqiptarëve nëpërmjet referendumeve vendosjen e sistemit që ata duan.

https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/videos/295668348267121/

SHKARKO APP