Kryemadhi thirrje të rinjve: Kemi nevojë për ju për ta ndryshuar këtë vend. Vetëm ju mund ta bëni!
Ndërsa jemi në prag të vendimmarrjes për datën e zgjedhjeve që do të zhvillohen në vitin 2021, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i ka bërë thirrje të rinjve që të angazhohen për të ndryshuar këtë vend.
E bindur se vetëm të rinjtë mund ta bëjnë, Kryemadhi i fton ata që të trokasin në dyert e shokëve dhe shoqeve të tyre, në mënyrë që të mbështesin njeri-tjetrin e të kenë përfaqësuesit e tyre në listat e deputetëve, të përfaqësohen në vendimmarrje dhe në qeverinë e ardhshme.
Postimi i plotë:
Shumë shpejt ne do të kemi një datë zgjedhjesh dhe kjo datë do të ketë një rëndësi shumë të veçantë për ju të rinjtë, sepse ne mendojmë që rinia shqiptare duhet të përfaqësohet në listat e deputetëve, duhet të përfaqësohet në vendimmarrje dhe duhet të përfaqësohet në qeverinë e ardhshme.
Unë do t’ju ftoja që të mos ndalonit në asnjë moment, do t’ju ftoja që të trokisnit në dyert e shokëve dhe shoqeve tuaja.
Kemi nevojë për ju, kemi nevojë për energjitë tuaja, kemi nevojë për mendjen tuaj, kemi nevojë për pasionin tuaj, por mbi të gjitha kemi nevojë që dëshirën tuaj dhe angazhimin tuaj për ta ndryshuar këtë vend, ju ta bëni realitet.
Jam e bindur që vetëm ju mund ta realizoni këtë gjë.