Kryemadhi thirrje të rinjve për 25 prillin: Bëhuni ju pjesë e ndryshimit dhe vendimmarrjes
Nga Shkodra, aty ku takoi të rinjtë e qytetit, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i bëri thirrje këtyre të fundit, që të bëhen pjesë e ndryshimit, si politikëbërës por edhe vendimmarrës për zgjedhjet e 25 prillit. ”Të merrni vendim për veten tuaj, të krijoni mundësi e hapësira për njëri-tjetrin që jo vetëm të krijojmë shanse të barabarta për ne që jemi këtu, por për të gjithë për të rinjtë e Shkodrës, të Shqipërisë, sepse vetëm kështu ne do ta ndryshojmë Shkodrën, por jo vetëm Shkodrën, por dhe Lezhën, Tropojën, Kukësin, Dibrën, Beratin, Korçën, Skraparin, Sarandën, Përmetin, Durrësin, Tiranën dhe çdo qytet të vendit, sepse çdo qytet ka identitetin e tij”,-tha Kryemadhi.
Pjesë nga fjala
LSI është një diamant në Shkodër. Të kesh sot 300 të rinj, që besojnë tek Goni, Marko, Floida dhe tek ju, është një gjë e rrallë. Unë jam kjo që jam jo se jam më e mirë se ju, përkundrazi, ju jeni më të mirë se unë, por ndoshta ishte në momentin e duhur, në vendin e duhur dhe unë jam bërë kjo që jam sot, për shkak të punës, mundit, votës dhe përkrahjes, që miqtë dhe shokët e mi më kanë dhënë mua. Për miqtë që nuk më kanë lënë asnjëherë në baltë, nuk më kanë lënë vetëm, kur kam qenë në furtunë e beteja. Prandaj jepini dorën njëri-tjetrit, forconi miqësinë e sodilaritetin. Miqësia dhe sodilariteti nuk mbajnë partitë politike, por mbajnë të bashkuar kombet.
Vetëm kështu me njëri-tjetrin do të mbajmë të fortë e të bashkuar, do të shembim këtë sistem të kalbur, do të ngrejmë mundësinë për të krijuar një shtet të konsoliduar.
Nëse Marko sot është në vitin e 5 të stomatologjisë, të jeni të bindur që përplasjet dhe përballjet e para që do të ketë kur të dalë në tregun e punës nuk do të jetë lufta për të ecur para si mjek stomatolog, por do të jenë instancat e shtetit, është korrupsioni, gjobat e institucioneve për të hapur licencën, që do ti kërkojnë pafundësisht letra. Ashtu siç ndodh sot për një shtëpi të rrënuar nga tërmeti, që vazhdojnë e flenë nëpër çadra dhe për të marrë sot rindërtimin e shtëpisë, po bëhet viti dhe nuk kanë marrë letra për ndërtimin e shtëpisë. Flasin për miliona euro donacione për rindërtim dhe sot e kësaj dite akoma nuk kanë shkuar ti shohin me sy, jo më ti rindërtojnë.
E jo më larg, por ju vetë në Shkodër, në Anë të Malit e dini vetë që edhe sot e kësaj dite akoma njerëzit nuk kanë marrë jo shpërblimet për përmbytjet, por nuk i kanë parë me sy ti pyesin a janë mirë a sjanë mirë. E pra, ne me 25 prill u ftojmë ju që të bëheni pjesë e ndryshimit. Nuk ju ftojmë që të bëheni politikanë, fjalime të mëdha, por që të bëheni politikbërës, vendimmarrës të bëni politika për veten tuaj, të merrni vendim për veten tuaj, të krijoni mundësi e hapësira për njëri-tjetrin që jo vetëm të krijojmë shanse të barabarta për ne që jemi këtu, por për të gjithë për të rinjtë e Shkodrës, të Shqipërisë, sepse vetëm kështu ne do ta ndryshojmë Shkodrën, por jo vetëm Shkodrën, por dhe Lezhën, Tropojën, Kukësin, Dibrën, Beratin, Korçën, Skraparin, Sarandën, Përmetin, Durrësin, Tiranën dhe çdo qytet të vendit, sepse çdo qytet ka identitetin e tij.