Kryemadhi vijon takimet me komunitetin shqiptar në SHBA

Në vijim të turit të takimeve të saj me komunitetin shqiptar në Miçigan, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka vizituar dy kishat katolike që i shërbejnë komunitetit shqiptar.

Takimin e parë e zhvilloi në kishën ‘Zoja Pajtore’ ku u takua fillimisht me Dom Ndue Gjergjin i cili i foli për historinë e themelimit të kësaj kishe. Kjo kishë u krijua në qershor të vitit 1977, nga i ndjeri Dom Prek Ndervashaj, i pari prift katolik shqiptar që ngriti shërbimin meshtar në gjuhën shqipe në Detroit.

Kisha Katolike ‘Zoja Pajtore’ është një qendër e re, e cila zhvillon aktivitete me karakter fetar, kombëtar e shoqëror në bashkësinë shqiptare gjithashtu promovon libra dhe talente të reja, seminare dhe simpoziume të ndryshme, tha Dom Ndue Gjergji.

Pas këtij takimi Kryemadhi mori pjesë edhe në meshën e zhvilluar në këtë kishë, ku mori fjalën para të pranishmëve.

“Unë do të mundohem pafundësisht sepse, ashtu siç i thashë edhe Padre Ndues dje, kam gjetur paqen, qetësinë dhe lumturinë, ditën që jam gjendur pranë Zotit. Besimi në Zot më ka dhënë forcën për të përballuar sfida të mëdha. Më ka ndihmuar në ndarjen midis të mirës dhe të keqes, për të bërë ndarjen në konflikt midis fëmijëve dhe mua, midis bashkëshortit dhe nënës dhe për të kuptuar që baza, forca dhe fuqia në të gjithë ne, është familja. Prandaj lutemi që ne në Shqipëri të kemi një familje të fortë sepse në këto kohë të trazuara është shumë ë rëndësishme për të mbajtur institucionin e fortë të familjes, ku në bazë të familjes ndërtohet shoqëria, dhe shoqëria është ajo që ndikon shtetin tonë. Sot shqiptarët më shumë se kurrë kanë nevojë për të pasur njëri-tjetrin pranë, kanë nevojë për ta parë dhe për ta ndjerë njëri-tjetrin si vëlla dhe si motër, sepse vetëm kështu ne do të vazhdojmë të jemi një komb i denjë dhe i barabartë, për të qenë anëtarë të Bashkimit Evropian, ashtu si dhe për të qenë të barabartë si të gjithë popujt e tjerë në botë”, tha ajo.

Zonja Kryemadhi e mbylli fjalën e saj duke i uruar të gjithë të pranishmit: ‘Zoti ju ruajt juve, Zoti ju ruajt familjet tuaja dhe Zoti qoftë me ne kudo në rrugën tonë të drejtë, në mendje, në shpirt dhe në zemër. Amin’.

Gjithashtu zonja Kryemadhi vizitoi edhe Kishën e “Shën Palit”. Kjo kishë e themeluar në vitin 1981 nga komuniteti shqiptar sot drejtohet nga Dom Fred Kalaj. Kisha ‘Shën Palit’ i shërben rreth 2000 familjeve në Detroit. Zonja Kryemadhi vendosi edhe një buqetë me lule tek busti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Detroit.

SHKARKO APP