Kryemadhi: Vota që morëm në 25 prill s’u përkthye në mandate, do bënim ndryshime rrënjësore
Sot Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoni Ekipin e Gjeneratës për Ndryshim, ku kryetarja Monika Kryemadhi ndër të tjera tha se vota që ata morëm në 25 prill s’u përkthye në mandate, dhe se do të bënim ndryshime rrënjësore.
Kryemadhi tha se plani u pengua nga rezultati i dobët i 25 prillit, duke sulmuar edhe Edi Ramën e Lulzim Bashën. “Tani stafeta është e juaja, sfidoni sistemin aktual, do keni mbështetjen dhe vëmendjen time”, u tha Kryemadhi të rinjve në takim.
Kryemadhi tha se LSI-ja do të kërkojë një sërë ndryshimesh, që do ta bëjnë Shqipërinë të pavarur nga Basha e Rama, dy njerëz që sipas saj “po e mbajnë peng vendin”.
“Ndryshimi i formulimit të përmbajtjes së mocionit të Mosbesimit dhe atij të Besimit. Që Shqipëria të mos jetë më një republikë kryeministrore, por të ngremë parlamentarizmin në fuqinë e vërtetë që parashikonte Kushtetuta e vitit 1998 e miratuar me referendum.
Ndryshimi i formulimit të ligjit për referendumet, me qëllim që të realizohet praktikisht. Sepse nuk ka asnjë logjikë që politikanët shqiptare zgjidhen çdo 4 vjet në Parlament, dhe e izolojnë vendimmarrjen nga qytetarët.
Rregullim ligjor për të rritur efektivitetin dhe për të pasur rezultate konkrete të komisioneve hetimore parlamentare. Sepse është vërtetuar se komisionet hetimore këto 30 vjet kanë shërbyer si qoka për t’i mbyllur aferat korruptive, në vend që t’i mbajnë përgjegjës ata që duhet të japin llogari para qytetarëve.
Ndryshime ligjore për PPP, koncesionet, tenderimet. Ristrukturim i administratës publike, duke ecur me parimin qeveri e vogël (10-12 ministri) dhe institucione e drejtori qendrore të riorganizuara (100-150 institucione varësie e drejtori), pjesë të Administratës Publike.
Pa harruar edhe një pikë që ne si LSI e kemi besuar fort që në gjenezën tonë: Zgjedhja e Presidentit drejtpërdrejt nga populli”, tha Kryemadhi.