Kryeministri: Hapja e bunkerit komunist, çështje e një thesari të kujtesës kolektive
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë hapjes së bunkerit të nëndheshëm të komunizmit, duke e cilësuar atë si çështjen e një thesari të kujtesës kolektive.
“Para disa kohësh kur vizituam Berlinin, patëm mundësinë të kalojmë në muzeun e famshëm që është një godinë e rëndomtë aty ku dikur ndahej Berlini perëndimor dhe lindor, pak metra larg murit që mbajti të ndarë dy botët e Luftës së Ftohtë dhe që mbajti të izoluar përtej horizontit të lirisë gjysmën e botës. Godina e një regjimi të vjetër ku përmes vet mureve të godinës, objekteve, fotografive dhe dëshmive u jepet mundësia qytetarëve të botës së lirë të krijojnë një perceptim me atë që ishte bota ku jetonin qindra miliona njerëz dhe sot është e vështirë t’ua tregosh me fjalë gjeneratave të reja”, tha gjithashtu ai.
Duke theksuar se Shqipëria e vogël mund të ishte një botë e tretë e izoluar nga dy botët e tjera që luftonte në mënyrë imagjinare me imperializmin amerikan dhe socialimperializmin sovjetik. Por sot sipas Ramës, ne jemi dëshmitarë se kemi çelur derën e një thesari të kujtesës sonë kolektive. Një thesari ku sipas tij, pa as më të voglin dyshim mund të zbulohen qindra mijëra copëza të një mozaiku të madh, ngjarjesh, personazhesh, kontradiktash ku gjakderdhja ka bërë rëndom lëndën lidhëse dhe të cilin historianët dhe historia nuk na e kthjellojnë dot edhe sot.
“Çdo përpjekje qeveritare politike që niset qoftë edhe nga qëllimi më i mirë për ti dhënë fund diskutimit për historinë është e destinuar të dështojë dhe të prodhojë rrethin vicioz të një historie që nuk shkruhet dot deri në fund”,- u shpreh Rama.
KOHA JONË SONDAZH

