Kryeministri Rama dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, nisen drejt SHBA-së

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, do të nisen sot drejt SHBA-së. Kjo pasi nga 1 qershori Shqipëria merr presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilën do ta mbajë për 30 ditë.

Zbardhet agjenda

Paraditen e 2 qershorit, kryeministri Rama do të drejtojë debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare, si një ndër përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit, të theksuar edhe më shumë për shkak të agresioni të Rusisë kundër Ukrainës.

Vënia para përgjegjësisë e shkelësve të ligjit ndërkombëtar, qofshin shtete apo individë, kërkon bashkëpunim të fortë të gjithë shteteve paqedashëse, duke filluar me anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Debati i kryesuar nga Rama shënon fillimin e zbatimit të planit të punës të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

Takimet e kryesuara nga kryeministri do të pasohen nga disa veprimtari të tjera shënjuese, përgjatë muajit qershor përfshirë në nivel Ministror.

– Debat i hapur drejtuar nga MEPJ Olta Xhaçka, mbi tematikën Gratë, Paqja dhe Siguria, me nëntemë “Roli i organizatave rajonale për zbatimin e GPS në situata trazirash politike dhe marrje pushteti me dhunë” (15 Qershor);

– Sesion informimi, drejtuar nga MEPJ Olta Xhaçka, mbi bashkëpunimin mes OKB dhe organizatave rajonale, ku do të ftohet Bashkimi Europian (16 qershor);

– Debat i hapur mbi Metodat e Punës të Këshillit të Sigurimit, drejtuar nga Ambasadori i RSH në OKB, NY (28 qershor).

Kjo është hera e parë që Shqipëria mban presidencën e KS gjatë mandatit të saj dyvjeçar në Këshill.

Vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë presidencën pak muaj përpara përfundimit të mandatit, në tetor 2023. Programi i punës i kësaj presidence ndërlidh më së miri përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, sic është lufta në Ukrainë.

Gjatë qëndrimit në Nju York KM dhe MEPJ do të priten në takime nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres si dhe nga ambasadorja e SHBA pranë OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, takim ky në kuadër të bashkëpenësisë që Shqipëria dhe SHBA kanë lidhur me Ukrainën. Gjatë muajit maj presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte SHBA.

E martë, 31 maj

10.05 – Takim me z. Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së

Pjesëmarres:

Z. Edi Rama, Kryeministër
Znj. Olta Xhaçka, Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme

10.45 – Takim me znj. Linda Thomas-Greenfield, Ambasadore e SHBA-së pranë OKB-së

Pjesëmarres:
Z. Edi Rama, Kryeministër
Znj. Olta Xhaçka, Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme

E enjte, 2 qershor

09.45 – Deklaratë për shtyp e KM (Vendi: Hapësira mediatike e Këshillit të Sigurimit, Selia e OKB)

10.00 – Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Vendi: UN Headquarters)
Shqipëria kryeson presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB për muajin qershor
Fjalë e Kryeministrit

SHKARKO APP