Kryeministri Rama firmos me Sekretarin Amerikan të Shtetit Marrëveshjen 5G
Kryeministri Rama u takua sot në Bruksel me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken. Më pas Rama shkruan në facebook: “Në një takim shumë miqësor e të dobishëm, që u mbyll me nënshkrimin e marrëveshjes për koordinimin e teknologjisë 5G mes ShBA dhe Shqipërisë”.
Takimi vjen pasi Sekretari Amerikan i Shtetit ka firmosur për ish-kryeministrin Berisha si person nongrata në SHBA.
Sekretari Antony J. Blinken dhe Kryeministri Edi Rama nënshkruajnë marrëveshjen midis Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeverisë së Shqipërisë për sigurinë e rrjetit 4G dhe 5G
Antony Blinken: Z. Kryeministër, shumë faleminderit, para së gjithash, që jeni sot këtu, por më e rëndësishmja faleminderit shumë për punën që kemi bërë së bashku. Ne jemi duke dhënë një shembull shumë të fortë së bashku këtu sot, veçanërisht mbi nevojën për t’u siguruar që kur bëhet fjalë për teknologjinë dhe rrjetet tona më të ndjeshme që kemi, ne po punojmë me sipërmarrës të besueshëm. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani dhe për mesazhin e fortë që përcjell. Dhe më gjerë, unë jam vërtet mirënjohës për punën që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë bërë së bashku në kaq shumë fusha të ndryshme, duke përfshirë stërvitjen “Defender 21”, që ishte një sukses i vërtetë. Mezi presim që të jeni pjesë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Atje do të bëjmë mjaft punë të mira së bashku. Ky partneritet po bëhet më i fortë, duke u thelluar, dhe ne e vlerësojmë shumë udhëheqjen tuaj dhe ndihmën për ta realizuar atë. Faleminderit për sot.
Kryeministri Rama: Faleminderit shumë. Dhe për mua dhe për të gjithë shqiptarët, ky është një moment shumë i rëndësishëm sepse, siç besoj se e dini, ne kemi ndërmarrë këto çështje nga ana jonë, që para disa vitesh, dhe kemi kërkuar që edhe vendet e tjera të rajonit të na bashkohen, dhe të bashkojmë përpjekjet tona jonë për një rrugë shumë të sigurt komunikimit dhe për ta vendosur këtë rrugë komunikimi, të shërbimeve shumë kritike në duart e popullit të Shqipërisë – në duart e institucioneve të forcave tona të sigurisë dhe për të mos lejuar, dhe ky mund të jetë kompromis nga aktorë të tretë dhe ndonjëherë aktorë malinj. Pra, si gjithmonë, është krenari që Shqipëria të qëndrojë pranë jush dhe të jetë me Shtetet e Bashkuara gjatë gjithë rrugës. Faleminderit shumë dhe shpresoj se së bashku mund të bindim edhe miqtë të rajonit që të bashkohen për këtë çështje.
Sekretari Blinken: Faleminderit. Ju jeni duke dhënë një shembull shumë të fortë. Ne jemi mirënjohës që ju kemi partner tani. Faleminderit.
Kryeministri Rama: Faleminderit.
Kronika sipas Zërit të Amerikës:
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe kryeministri shqiptar Edi Rama nënshkruan të dielën në Bruksel një Memorandum Mirëkuptimi mbi përparësitë e përbashkëta, përfshirë angazhimin për të përdorur vetëm ofruesit e pajisjeve të besuara për rrjetet 4G dhe 5G të teknologjisë.
Sekretari Blinken e takoi kryeministrin shqiptar në Bruksel, teksa të hënën do të nis një takim i nivelit të lartë i aleancës së NATO-s.
“Mendoj se ne jemi duke dhënë një shembull shumë të fortë së bashku këtu sot, veçanërisht mbi nevojën për t’u siguruar që kur bëhet fjalë për teknologjinë dhe rrjetet tona më të ndjeshme që kemi, të punojmë me palë të besueshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani dhe mendoj se është një mesazh i fuqishëm për t’u dërguar. Në një aspekt më të gjerë, unë jam vërtet mirënjohës për punën që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë qenë në gjendje të bëjnë së bashku në shumë fusha të ndryshme, duke përfshirë stërvitjen Defender 21 që e realizuam me kaq sukses. Presim me padurim që të merrni vendin tuaj në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara. Kemi shumë punë të mira për të bërë edhe atje dhe në të gjitha aspektet, ky partneritet po bëhet më i fortë dhe më i thellë dhe ne e vlerësojmë shumë lidershipin tuaj për ta bërë këtë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Kryeministri Rama tha se “është përherë krenari për Shqipërinë që të jetë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Për mua e për ne në Shqipëri është një moment shumë i rëndësishëm, sepse, siç besoj ju e dini, kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jonë që prej disa vitesh e duke i kërkuar edhe të tjerëve, vendeve në rajon që të bëhen pjesë e që të gjithë sëbashku të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurtë komunikimi e për ta vënë këtë korridor komunikimi të shërbimeve shumë kritike në duart e qytetarëve të Shqipërisë, institucioneve shqiptare, forcave të sigurisë e të mos lejojmë që të komprometohet nga aktorë të tretë që nganjëherë janë aktorë dashakeqë. Ndaj është përherë krenari për Shqipërinë që të jetë krah jush dhe që të jetë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës përherë. Kështu që faleminderit shumë për këtë e shpresoj që sëbashku, ne të mund t’i bindim edhe miqtë e tjerë në rajon për tu bërë pjesë e kësaj”, tha kryeminstri shqiptar.
Uashingtoni prej kohësh ka nisur një iniciativë për “rrjet të pastër”, për t’u mbrojtur nga kërcënimi i privatësisë së të dhënave, dhe për të ruajtur pronësinë intelektuale dhe sigurinë kombëtare.
Veç Shqipërisë, edhe Maqedonia e Veriut e Kosova kanë nënshkruar memorandume bashkëpunimi me SHBA për rrjetin 5G të teknologjisë.
KOHA JONË SONDAZH

