Kryeministri Rama heq monopolin 350 milionë dollarësh të një grupi amerikano-shqiptar

Sipas drejtoreshës, kontrata me “Rapiscan” nuk ishte e zbatueshme dhe ankesat e biznesit për koston e lartë të këtij shërbimi ishin të mëdha. “Qeveria ishte në një proces negociatash me të (kompaninë). Kontrata ishte e pazbatueshme”,- deklaroi Spiropali . Përsa i përket arbitrazhit, Spiropali shpjegoi se Avokati i Shtetit është institucioni i cili po merret me procedurat për mbrojtjen e shtetit shqiptar.

“Nuk jam unë autoriteti kompetent për të folur për këtë çështje. Çështja po ndiqet nga Avokati i Shtetit, por mund të them se ka një problem shumë të madh me mënyrën si janë dhënë koncesionet dhe kontratat që janë lidhur”, -tha Spiropali.

Ndërkohë në lidhje me të ardhmen e skanimit në dogana drejtoresha ka shpjeguar se nuk është një vendim që i përket asaj, por la të hapur mundësinë që ky shërbim ti mbetet shtetit.

“Dogana nuk është autoriteti vendimmarrës për këtë çështje, por në shumë vende të botës skanimi është një kompetencë shtetërore dhe nuk ka pse ti jepet një kompanie të huaj, që rëndon biznesin”. Pas nismës së qeverisë që u konfirmua nga Drejtoresha Spiropali, kompania e huaj ka hedhur shtetin shqiptar në arbitrazhin ndërkombëtar. Kompania kërkon nga shteti 350 milionë dollarë dëmshpërblim për prishjen e marrëveshjes. Ky koncesion ju dha kompanisë private  nga qeveria “Berisha”, kur dhjetëra milion dollarë mund t’i kalonin buxhetit të shtetit, e jo kompanisë së huaj private.

Kompania amerikane “Rapiscan”, e kontraktuar në kohën e “qeverisë së djathtë ” për skanimin e mallrave në doganë, i është drejtuar arbitrazhit ndërkombëtar me pretendimin e prishjes së kontratës në mënyrë të njëanshme nga qeveria shqiptare dhe ka kërkuar dëmshpërblim në shumën 350 milionë dollarë.

Shteti shqiptar mbrohet në këtë gjyq me anë të Avokatit të Shtetit. Kryeministri Rama ka filluar të heq edhe monopolet e vendosura padrejtësisht dhe për këtë ka mbështetjen e publikut të gjerë.

SHKARKO APP