Kryeministri Rama shkon sot në Turqi, pritet nga Erdogan. Firmosen disa marrëveshje
Kryeministri Edi Rama do të jetë sot në një vizitë në Turqi me ftesë të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe të dy së bashku do të kryesojnë takimin e parë të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik Turqi-Shqipëri që u krijua më 6 janar 2021.
Në këtë mbledhje të parë do të shqyrtohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve Turqi-Shqipëri dhe do të diskutohen hapat që mund të ndërmerren për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh. Diskutimet kryesore mes Ramës dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan do të jenë rreth zhvillimeve ndërkombëtare veçanërisht ato në Ballkan sa i takon ruajtjes së paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.
Ndalesa e parë e Kryeministrit Rama do të jetë në Anitkabir, Mauzoleumin e Mustafa Kemal Atatürkut, lideri i Luftës Turke për Pavarësi dhe themeluesi e Presidenti i parë i Republikës së Turqisë. Pas ceremonisë së veçantë të mikpritjes që do të mbahet në Presidencën e Republikës së Turqisë, Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Erdogan do të zhvillojnë një takim bilateral mes tyre.
Më pas, Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do të drejtojnë Mbledhjen e Bashkëpunimit të Nivelit të lartë midis dy vendeve, me pjesëmarrjen edhe të disa prej ministrave të kabineteve qeveritare respektive. Në nisje të mbledhjes Kryeministri Rama do të adresohet me një fjalë.
Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë do të nënshkruhen në vijim disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi dypalëshe në fushën e mjedisit, mbrojtjes, të medias dhe komunikimit, etj. Në përfundim të vizitës, Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do të komunikojnë për median deklaratën e përbashkët për shtyp.
Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë dhe Zv/Kryeministrja, Ministri i Jashtëm Igli Hasani; Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi; Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj; Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu; Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu; si dhe Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro.
KOHA JONË SONDAZH

