Kryeministria: Opozita është kthyer në klub thashethemesh
“Duke ndjekur me keqardhje degjenerimin e opozitës në një klub thashethemesh prej province, informojmë opinionin publik se në çdo vendim e veprim të sajin, Qeveria e Shqipërisë, udhëhiqet nga interesi kombëtar dhe publik.
Përgojimi në klubin e ish-oficerëve i organizimit botërisht të suksesshëm, për pritjen e Papa Franceskut, është një tjetër dëshmi e degjenerimit politik, moral dhe madje edhe logjik të opozitës sonë.
Njësoj siç ka dalë kundër çdo aksioni për vendosjen e ligjit; kundër policisë për Lazaratin e Dukagjinin; kundër INUK-ut për çlirimin e pronës së përbashkët nga zaptimet e paligjshme; kundër mbylljes së fabrikave të diplomave fallco; kundër operacionit për ndalimin e kapjen e hajdutëve të energjisë; sot opozita doli kundër Qeverisë edhe për organizimin e pritjes së Papës.
Është koha që opozita të dale nga klubi i thashethemeve provinciale dhe të kthehet në Kuvend. Ku e presim krahëhapur për të debatuar për problemet reale, për sfidat reale, për zgjidhjet reale që Shqipëria kërkon pas aq shumë vitesh rrënim nën pushtetin e një partie që sot nuk di ku ka kokën, nuk di ku e shpien këmbët, nuk di çfarë i nxjerr goja”, thuhet në deklaratën e Kryeministrisë.