Kryenegociatori i Shqipërisë, Zef Mazi takon zv/ministrin e jashtëm grek: Mbështetje nga Greqia për të hedhur hapin tjetër drejt BE
Kryenegociatori i Shqipërisë, Zef Mazi dhe zv/ministri i jashtëm grek, Miltiadis Varvitsiotis kanë kryer një takim të përbashkët për integrimin europian të Shqipërisë.
Mazi shpreson që të mbahet sa më shpejt Konferenac e Parë Ndërqeveritare, teksa nga ana tjetër zv/ministri grek ka shprehur mbështetjen politike dhe teknike nga Greqia për të hedhur hapin e radhës drejt rrugës për në BE.
NJOFTIMI NGA KRYEMINISTRIA
Takimi Mazi-Varvitsiotis, për bashkëpunimin e mëtejshëm në procesin e integrimit
Më 16 shtator 2020, Kryenegociatori për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Zoti Zef Mazi, u takua me Ministrin e Jashtëm Përplotësues të Republikës Greke, Zoti Varvitsiotis.
Zoti Mazi dhe Zoti Varvitsiotis zhvilluan konsultime për bashkëpunimin e mëtejshëm në kuadrin e integrimit të Shqiperisë në Bashkimin Europian.
Dy zyrtarët e lartë diskutuan ndikimin e vendimit pozitiv të Këshillit Europian në mars 2020 për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke e përshkruar atë si një vendim madhor, historik, për Shqipërinë, Kryenegociatori theksoi se Shqipëria vazhdon të përmbushë konkluzionet e Këshillit me përgjegjësi dhe vendosmëri edhe më të madhe për të dhënë rezultate. Ai shprehu shpresën dhe besimin se rezultatet e Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit do të pasohen nga vendimi i BE-së për të bërë të mundur hedhjen e hapit të rradhës në rrugën e BE-së – mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare në kohën më të shpejtë të mundshme.
Dy bashkëbiseduesit ranë dakord të vijojnë kontaktet e ngushta, përfshirë duke mbikqyrur zbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për Përshpejtimin e Procesit të Integrimit të Shqipërisë në BE, për të vazhduar diskutimin mbi çështjet e lidhura me BE-në, përfshirë mbështetjen politike për Shqipërinë për të hedhur hapin tjetër të mëtejshëm në rrugën e BE-së, si dhe për të dhënë mbështetje teknike për negociatat e ardhshme.