Kryeparlamentarja Nikolla pret delegacionin e Senatit francez: Mbështetje e fuqishme për anëtarësim në BE

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti këtë të mërkurë një delegacion të grupit të miqësisë me Shqipërinë të Senatit të Francës, i përbërë nga senatorët Pierre Ouzoulias, kryetari i Grupit të Miqësisë, dhe anëtarët Vivette Lopez, Lucien Stanzione dhe Jean-Michel Arnaud. Nikolla vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Francës dhe Partneritetin Strategjik mes dy vendeve, nënshkruar në mars 2017.

“Franca ka rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe rajonin. Ne jemi mbështetur te përkrahja e Francës në rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe presim që kjo mbështetje të vazhdojë dhe gjatë zhvillimit të negociatave. Mirëpresim ekspertizën franceze për vijimin e reformave dhe zhvillimin e negociatave të anëtarësimit. Shqipëria dhe Franca janë partnerë të ngushtë në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në kontributet për paqen dhe sigurinë”, theksoi Nikolla.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar, zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, bashkëpunimin në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë etj.

Kryetari i Grupit të Miqësisë, Pierre Ouzoulias dhe senatorët e pranishëm në takim u shprehën se Franca do të vijojë të mbështesë fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe Senati do të nxisë e mbështesë bashkëpunimin dypalësh për forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, bashkëpunimin në fushën e politikave fiskale, bujqësisë, shërbimeve jetike bazë, bashkëpunimin e decentralizuar etj.

SHKARKO APP