Kryeredaktori i “Koha Jonë”: Provova mbrëmë një sjellje çnjerëzore nga Policia e Shtetit tim
Kryeredaktori i gazetës “Koha Jonë”, Qamil Xhani, ka rrëfyer momentet e tmerrit të ndalimit, dhunimit e më pas shoqërimit nga Policia në komisariat mbrëmjen e djeshme.
Në një postim në Facebook, ku përshkruan gjithçka ndodhi mbrëmë, kryeredaktori Xhani thotë se “Në 15 vite punë si gazetar s’më ka ndodhur kurrë të përballem më një brutalitet dhe arrogancë të tillë nga policia: goditje, pranga dhe qelitë e paraburgimit“.
“Ata që më shoqëruan rrugës për në komisariat punonin si “urban linje” për të rinj që prangoseshin rrugëve dhe nuk e dinin së çfarë kishin bërë edhe pse u thashë disa herë se jam gazetar dhe nuk po më shoqëronin për protestën, por po më merrnin peng nga redaksia. Ndërsa shefat që ndiqnin operacionet rrugicave të Tiranës dhe ata më fytyrë të mbuluar që u kujdesën të fshihnin fotot dhe videot në telefon, ata po, ata e dinin se çfarë po bënin dhe mu krijua përshtypja se e shijonin çdo urdhër për reagim brutal që jepnin“, shkruan Xhani.
Me shpresën se do t’i kërkoni ndjesë apo ta sqaronin se ishte gabim apo ngatërresë, kryeredaktori Xhani shkruan se “Pas daljes nga komisariati po prisja një sqarim apo dhe ndjesë për atë që ndodhi. Jo nga shefat që urdhëronin dhunën në terren apo ata me kapuçët e zinj që grushti u fliste para gojës, por nga ata që drejtojnë. Nuk e bënë dhe mirë bënë, tani jam i qartë se nuk ishte rastësi dhe as ngatërresë. Dhuna ka emër.”
Postimi i plotë i kryeredaktorit të “Koha Jonë” në Facebook:
Miq, faleminderit për mbështetjen!
Ju kërkoj ndjesë që nuk kam pasur mundësi tu ktheja përgjigje të gjithëve!
Jam mirë, por shenjat që lanë prangat në duart e një gazetari të arrestuar para redaksisë nuk kanë për të më ikur kurrë.
Kur dola nga komisariati isha i dërrmuar, jo thjesht nga efekti i goditjeve dhe duart që më dhembnin nga shtrëngimi i fort i prangave, por sepse pashë me sytë e mi atë që e merrja me pak rezerva kur ma thoshin të tjerët këto ditë. Qelitë nuk kishin më vende dhe mes të arrestuarve kishte minorenë. Më shumë se 55 qytetarë rrinin bashkë në një dhomë 4 me 4 m2 dhe të tjerë mbaheshin në korridor, sipas vlerësimit paraprak të sjelljes që u bënin “shefat”. Disa oficere firmosnin në korridore procesverbale që kthehen në vite burg dhe miliona lekë gjobë për qytetarë që as vet efektivët nuk e dinin se përse i kishin sjellë në komisariat.
Unë që u prangosa para redaksisë kur po fotografoja arrestimin e dhunshëm të dy të miturve, po më firmoseshin letrat për “Pjesëmarrje në tubim të paligjshëm!”. Nuk isha në protestë dhe as pjesë e ndonjë grupi protestuesish. Isha 5 metra larg hyrjes së redaksisë e gazetës dhe dola pas zhurmës së sirenave të policisë dhe ulërimave që vinin nga oborri.
Në 15 vite punë si gazetar s’më ka ndodhur kurrë të përballem më një brutalitet dhe arrogance të tillë nga policia; goditje, pranga dhe qelitë e paraburgimit.
E kuptoj, dhe pse sot e kam shumë të vështirë, agresivitetin e policëve të protestave që kthehen me urdhër në makina dhune dhe terrori për të çuar rrogën te familja. Ashtu siç kuptoj, pas përvojës së parë personale me përfaqësuesit e rendit, arsyen përse mes të rinjve ka kaq zemërim me policinë. Por nuk kuptoj heshtjen e atij shefit me kostum firmato poshtë pelerinës ushtarake të shiut, që shihte i qetë si dhunoheshin dy minorenë. Kur 10-15 policë me shkopinj hekuri dhe gome ndjekin si gjah në rrugicat e ish-Bllokut dy minorenë, çfarë vlere kanë mediat dhe gazetarët në këtë vend!
Ata që më shoqëruan rrugës për në komisariat punonin si “urban linje” për të rinj që prangoseshin rrugëve dhe nuk e dinin së çfarë kishin bërë edhe pse u thashë disa herë se jam gazetar dhe nuk po më shoqëronin për protestën, por po më merrnin peng nga redaksia. Ndërsa shefat që ndiqnin operacionet rrugicave të Tiranës dhe ata më fytyrë të mbuluar që u kujdesën të fshihnin fotot dhe videot në telefon, ata po, ata e dinin se çfarë po bënin dhe mu krijua përshtypja se e shijonin çdo urdhër për reagim brutal që jepnin.
Pas daljes nga komisariati po prisja një sqarim apo dhe ndjesë për atë që ndodhi. Jo nga shefat që urdhëronin dhunën në terren apo ata me kapuçët e zinj që grushti u fliste para gojës, por nga ata që drejtojnë. Nuk e bënë dhe mirë bënë, tani jam i qartë se nuk ishte rastësi dhe as ngatërresë.
Dhuna ka emër.
Miq, faleminderit për mbështetjen!
Ju kërkoj ndjesë që nuk kam pasur mundësi tu ktheja përgjigje të gjithëve!
Jam…
Posted by Mili Xhani on Saturday, December 12, 2020