Kryetari i Kuvendit: Turqia, ndër partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë

Gjatë takimit, ata diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe vëllazërore që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Turqisë, të cilat shtrihen në aspekte të shumta politike, ekonomike, tregtare, kulturore, arsimore, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë rajonal dhe në atë ndërkombëtar.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetari i Parlamentit të Republikës të Turqisë ndanë bindjen se të dy parlamentet do të duhet të intensifikojnë edhe më tej bashkëpunimin midis tyre në mbështetjen e qeverive respektive për të kaluar në dimensionin e ri e më dinamik të partneritetit strategjik që është afirmuar midis dy vendeve tona.

Meta vlerësoi se Turqia është një ndër partnerët më të rëndësishëm ekonomik e tregtar për Shqipërinë. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë vlerësoi ecurinë e projektit mjaft të rëndësishëm dhe strategjik TAP dhe shprehu falënderimet për mbështetjen e Turqisë për mbarëvajtjen dhe suksesin e këtij projekti mjaft të rëndësishëm dhe strategjik për sigurinë energjetike të gjithë kontinentit Evropian.

Nga ana e tij, Çiçek u shpreh gjatë takimit se Shqipëria është një nga ato vende që Turqia e konsideron një vend vëlla dhe mik për lidhjet e ngushta historike dhe kulturore. Kryetari i Parlamentit të Turqisë tha se marrëdhëniet midis dy vendeve tona në të gjitha aspektet janë të kënaqshme, teksa theksoi se këto marrëdhënie duhen thelluar akoma më tej, jo vetëm në fushën politike, por edhe në fushën ekonomike, tregtare, kulturore, etj.

Sipas tij, rajoni gjeografik ku ne ndodhemi është një rajon i brishtë për shkak të sigurisë dhe të qetësisë prandaj sa më të fuqishme që të jenë marrëdhëniet midis dy vendeve tona, aq më të fuqishme do të jenë siguria, paqja dhe qetësia në rajon.

 

SHKARKO APP