Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha: Zhvillimet në Venezuelë, inkurajim për opozitën shqiptare
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ku ka komentuar zhvillimet e fundit ndërkombëtare, duke i lidhur ato me situatën politike në Shqipëri.
Berisha u ndal te ngjarjet në Venezuelë, duke e cilësuar largimin e presidentit Nicolas Maduro nga pushteti si një zhvillim pozitiv për demokracinë në nivel global.
“Largimi i Maduros nga pushteti është një lajm i mirë për të gjithë njerëzit e lirë kudo në botë, veçanërisht për popullin e Venezuelës që ka vuajtur për vite me radhë nën regjimin e tij”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, këto zhvillime përbëjnë edhe një inkurajim shumë i madh për opozitën shqiptare.
Sipas kreut të PD, është një lajm i mirë edhe për shqiptarët, pasi shërben si një nxitje për opozitën që të bëjë detyrën e saj dhe të punojë për largimin nga pushteti të një qeverisjeje që, sipas tij, qëndron mbi votën e grabitur dhe lidhjet me krimin dhe korrupsionin.
Gjatë bashkëbisedimit, Berisha komentoi edhe situatën në Iran, ku sipas tij po zhvillohen protesta të gjera kundër regjimit.
“Sot gjithashtu populli iranian është në rrugë kundër regjimit të ajatollahëve. Qytete të tëra janë përfshirë nga protesta të fuqishme”, deklaroi ai, duke shtuar se shpreson që këto lëvizje të çojnë drejt ndryshimeve politike.
KOHA JONË SONDAZH

