Kryetari i ri i Gjykatës Kushtetuese, në garë janë Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj
Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj janë në garë për të qenë njeri prej tyre, kreu i ri i Gjykatës Kushtetuese.
Njoftimi i plotë
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në kuadër të procedurës së zgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese u mblodh sot, më 2 shkurt 2023, dhe konstatoi përmbylljen e afatit të aplikimeve.
Për këtë pozicion kanë shprehur interesin 3 gjyqtare, të renditura më poshtë, sipas rendit alfabetik, me bazë mbiemrin:
1-Fiona Papajorgji
2-Marjana Semini
3-Holta Zaçaj
Mbledhja e Gjyqtarëve në bazë të parashikimeve ligjore, ka vendosur që të zhvillojë mbledhjen e saj të radhës, në datën 15 shkurt 2023, ora 10:00, për të dëgjuar platformat dhe vizionin e secilës kandidate, për të vijuar më tej me procedurat e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.