Ktheu Ligjin për Rininë, zbardhen sqarimet e Ilir Metës ndaj deputetëve
Presidenti Ilir Meta nuk ka dekretuar “Ligjin për Rininë”, duke e rikthyer sërish në Kuvend, një ditë pas “Ditës së Rinisë”.
Meta ka deklaruar se në gjendjen aktuale Ligji i Rinisë është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën.
Shpjegimi i plotë i Metës:
Të nderuar deputetë,
Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 4 nëntor 2019, ka miratuar ligjin nr. 75/2019 “Për rininë”.
Me shkresën nr. 3960 prot., datë 07.11.2019, të Kuvendit, ky ligj është përcjellë për dekretim e shpallje dhe është administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me shkresën nr. 4125 prot., datë 07.11.2019.
Sipas praktikës parlamentare të publikuar, projektligji është hartuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë me kontributin e përfaqësuesve të ministrive të linjës, Departamentit të Administratës Publike si dhe, siç referohet përgjatë hartimit të tij, është marrë parasysh dhe kontributi i përfaqësuesve të organizatave të ndryshme të shoqërisë civile.
Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare mbi propozimin, shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji, si dhe përmbajtjes së dispozitave të ligjit nr. 75/2019 “Për rininë”, të miratuar, konstatohet: sipas relacionit të Këshillit të Ministrave dhe Raportit të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ky ligj ka si qëllim përcaktimin e veprimtarive, mekanizmave dhe autoriteteve përgjegjëse për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të rinjve në Republikën e Shqipërisë dhe të të rinjve shqiptarë në diasporë, si dhe financimin e veprimtarive rinore, në kuadër të së drejtës së të rinjve për mbrojtje të veçantë.
Në shqyrtim të këtij ligji, Presidenti i Republikës, ka ndjekur me vëmendje dhe ka vlerësuar të gjitha qëndrimet publike dhe shqetësimet e ngritura për miratimin e tij të përcjella nga organizata jo fitimprurëse, të cilat kanë ndjekur procesin e konsultimit të këtij ligji dhe kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me projektligjin dhe vet ligjin e miratuar.
Presidenti i Republikës shqyrtoi ligjin nr. 75/2019, duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, si dhe praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke vlerësuar përputhshmërinë e këtij ligji me parimet dhe parashikimet e Kushtetutës së Shqipërisë, aktet ndërkombëtare që Republika e Shqipërisë ka ratifikuar, si dhe interesin më të lartë të të rinjve shqiptarë.
Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 75/2019 “Për rininë”, Presidenti i Republikës vlerëson se ky ligj bie në kundërshtim me parimet kushtetuese, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe fryma e këtij ligji nuk përputhet me interesat reale të rinjve shqiptarë; për rrjedhojë, ky ligj nuk është në harmoni me interesin publik e kombëtar.
Presidenti i Republikës në vlerësim të të gjithë problematikave të rinisë shqiptare sot, krahasuar me mundësitë që ofron ligji nr. 75/2019, vlerëson se ky ligj nuk i përgjigjet nevojave të zhvillimit dhe pritshmërive të rinisë shqiptare dhe nuk garanton mirëqenien e tyre.
Ligji jo vetëm që nuk sjell rregullimin e dëshiruar dhe të pritshëm, por për disa çështje thelbësore, ai bie ndesh me parimet dhe normat kushtetuese.
Ligji i miratuar evidenton se do të trajtojë edhe të rinjtë shqiptarë në diasporë, por nuk qartëson aspak në mënyrë reale dhe të vërtetë se si kjo normë e re ligjore do të ndihmojë këtë pjesë të rinisë shqiptare.
Në analizë të praktikës parlamentare dhe ligjit objekt shqyrtimi konstatohet se është e domosdoshme kryerja e një studimi objektiv dhe shumëplanësh përpara miratimit të një ligji të plotë për rininë. Ky proces është shumë i nevojshëm, pasi në të kundërt do të krijonim një normë ligjore vetëm formalisht, por nuk do të mund të garantonim aplikimin me sukses të saj në adresë të rinisë shqiptare.
Duke krijuar një terren të sigurt ligjor, për rrjedhojë, krijohen mundësitë dhe kushtet për adresimin e nevojave të rinisë në të gjitha fushat që përbëjnë interes për ta, si dhe zgjidhje konkrete e optimale.
Çështja thelbësore në ndërmarrjen e një nisme të tillë dhe, më pas, zyrtarizimin e saj është identifikimi real dhe trajtimi thelbësor dhe jo sipërfaqësor i problematikave të tilla, si: mungesa e vizionit për jetën, mospërshtatja e sistemit arsimor me tregun e punës apo mungesa e informacionit rreth këtij tregu, mungesa e argëtimit, papunësia, paragjykimi dhe diskriminimi ndërmjet të rinjve, mospjesëmarrja në proceset dhe vendimmarrjet demokratike, apo çështje të tjera sociale të hasura në praktikë dhe realitetin shqiptar.
Vullneti për të vënë në rrugën e zgjidhjes të gjitha problematikat që shqetësojnë rininë, duhet të jetë një objektiv real dhe i shprehur qartë. Për këtë duhet që qeveria dhe Kuvendi të kenë një strategji të qartë mbi mënyrën se si do të arrihet tek rezultatet e pritshme pozitive.
Nëse një strategji dhe normë e re ligjore nuk është e qartë, atëherë bërja e një ligji të tillë merr karakter vetëm deklarativ dhe kjo nuk do të ndihmonte aspak në zgjidhjen e shqetësimeve, por do të krijonte një mbulim sipërfaqësor të gjithë problematikave, duke bërë të pamundur jo vetëm zgjidhjen e tyre, por dhe fshehjen e realitetit të jetës në vend.
Në disa dispozita të tij ky ligj tenton vendosjen nën kontroll politik të organizimit rinor, gjë e cila do të përbënte cenim të rëndë të së drejtës të çdo të riu për t’u shprehur dhe për t’u organizuar lirisht. Cenimi i së drejtës së çdo të riu për të zgjedhur përfaqësuesit e tij në mënyrë të lirë dhe jashtë ndikimit politik, do të përbënte në themel cenim të demokracisë.
Referuar këtyre arsyeve, të sipërcituara përmirësimi i këtij ligji është i detyrueshëm.
Bazuar në këto konstatime Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës, ka vendosur; “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 75/2019 “Për rininë”, në mbështetje të argumenteve të shtjelluara, si më poshtë.
- Nenet 9 dhe 10 të ligjit nr.75/2019, bien ndesh me parimet kushtetuese dhe krijojnë mundësinë e një varësie politike të drejtpërdrejtë të organizatave rinore, ç’ka rrjedhimisht do të përbënte shtrembërim të vullnetit të të rinjve shqiptarë dhe cenim të vetë demokracisë.
Në ligjin nr. 75/2019, në nenin 9 dhe 10 të tij, parashikohet krijimi i strukturave dhe organizmave, përkatësisht, Këshilli Kombëtar i Rinisë dhe Këshilli Vendor i Rinisë ku, konkretisht, parashikohet:
Neni 9
Këshilli Kombëtar i Rinisë
- Këshilli Kombëtar i Rinisë është organ këshillimor, që funksionon pranë ministrit përgjegjës për rininë. Këshilli Kombëtar i Rinisë ushtron kompetencat e mëposhtme:
a) i paraqet ministrit përgjegjës për rininë politikat prioritare, buxhetin dhe veprimtaritë në fushën e rinisë;
b) propozon drejtimet dhe programet kryesore për mbështetjen dhe fuqizimin e pjesëmarrjes së të rinjve;
c) jep mendim për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Rininë dhe monitoron zbatimin e saj;
ç) miraton raportin vjetor mbi zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Rininë dhe situatës së të rinjve.
2.Këshilli Kombëtar i Rinisë kryesohet nga ministri përgjegjës për rininëdhe ka në përbërje 14 deri në 16 anëtarë ku, të paktën, gjysma e anëtarëve përfaqësojnë organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë. Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Rinisë emërohen me urdhër të ministrit përgjegjës për rininë.
3. Kriteret dhe procedurat e zgjedhjes së anëtarëve, si dhe mënyra e organizimit dhe e funksionimit të Këshillit Kombëtar të Rinisë miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 10
Këshilli vendor i rinisë
- Këshilli vendor i rinisë është organ këshillimor, që funksionon pranë kryetarit të bashkisë. Këshilli vendor i rinisë ushtron kompetencat e mëposhtme:
a) këshillon njësitë e vetëqeverisjes vendore për drejtimin e politikave dhe planeve vendore për rininë;
b) vlerëson situatën e të rinjve dhe zbatimin e planeve dhe politikave rinore në nivel vendor;
c) propozon përmirësime të politikave vendore rinore, si dhe nismat që i përshtaten nevojave të të rinjve në territorin ku veprojnë;
ç) bashkëpunon dhe shkëmben informacion me Këshillin Kombëtar të Rinisë.
2. Këshilli vendor i rinisë kryesohet nga kryetari i bashkisëdhe përbëhet nga të paktën 4 deri në 6 anëtarë ku të paktën gjysma e anëtarëve përfaqësojnë organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë. Anëtarët e këshillit vendor të rinisë emërohen me urdhër të kryetarit të bashkisë.
3. Kriteret, procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të këshillit vendor të rinisë, si dhe mënyra e organizimit dhe funksionimit të këshillit vendor të rinisë miratohen me vendim të këshillit bashkiak, duke iu referuar, për aq sa është e mundur, kritereve dhe procedurave të miratuara nga Këshilli i Ministrave për Këshillin Kombëtar të Rinisë”.
Nga mënyra e konceptimit të tyre, ministri përgjegjës për rininë, si dhe kryetarët e bashkive janë funksionarët politikë, të cilët përfaqësojnë vullnetin politik të një partie politike dhe mbështesin e realizojnë programet e tyre.
Në këtë mënyrë, funksionarëve politikë të nivelit qendror apo vendor, sipas parashikimeve të nenit 9 dhe 10 të ligjit nr. 75/2019, u jepet për kompetencë që të udhëheqin strukturat e reja të organizimit të të rinjve.
Duke vlerësuar këtë varësi të drejtpërdrejtë, si dhe kompetencën e ministrit dhe të kryetarëve të bashkive për miratimin e anëtarëve të këshillave përkatëse, përfaqësimi i organizatave rinore rrezikohet në orientimin drejt përparësive afatshkurtra dhe të çastit, të ndara dhe jo gjithëpërfshirëse, duke qenë preh e një politizimi të theksuar të pushtetit qendror.
Kjo mënyrë organizimi dhe përfaqësimi të vullnetit rinor, sipas dispozitave të mësipërme, duket se tenton vendosjen nën kontroll politik të gjithë organizimit dhe jetës rinore në vend, gjë e cila do të ishte rezultati më i rëndë i shkeljes të të drejtave dhe lirisë së shprehjes të pjesës më jetësore të shoqërisë dhe cenim të demokracisë në vendin tonë.
Kjo situatë e parashikuar me ligj, bëhet akoma dhe më e rëndë në kushtet kur, si rezultat i zhvillimit të një procesi antikushtetues votimesh në 30 qershor, sot si pushteti vendor, ashtu dhe ai qendror përfaqëson vullnetin politik vetëm të një partie politike. Kjo situatë absurde e përfaqësimit politik dhe kjo skemë përfaqësimi e parashikuar në nenin 9 dhe 10 të ligjit nr.75/2019, do të sillte përfaqësimin e njëanshëm të interesave dhe aspiratave të të rinjve, duke iu dhënë hapësirë përfaqësuese vetëm asaj pjese që përfaqëson apo është pjesë organizative e forcës politike në pushtet.
Edhe vetë procesi përzgjedhës që parashikojnë këto norma nuk është aspak demokratik dhe i lirë. Kështu neni 9, pika 2 dhe neni 10 pika 2, përcaktojnë se Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Rinisë dhe Anëtarët e Këshillit Vendor të Rinisë emërohen respektivisht me urdhër të ministrit përgjegjës për rininë dhe kryetarit të bashkisë. Pra, referuar këtyre dispozitave, do të jetë një funksionar politik si ministri apo kryetari i bashkisë; ata që do të vendosin nën kontrollin e tyre të emrave apo përfaqësuesve të organizatave që do jenë pjesë e këtyre këshillave.
Ndërkohë, si për ta rënduar këtë situatë, neni 9 pika 2 dhe neni 10 pika 2, përmbajnë një parashikim të paqartë të balancës dhe nivelit të pjesëmarrjes së organizatave rinore ose të rinjve si në Këshillin Kombëtar Rinor, ashtu edhe Këshillin Vendor të Rinisë. Kështu, ndërsa në Këshillin Kombëtar të Rinisë është parashikuar përbërje prej 14 deri 16 anëtarë ku, të paktën, gjysma e tyre të përfaqësojë organizatat rinore, në atë vendor kjo përbërje është 4 deri në 6 ku, të paktën, gjysma është përfaqësuese e këtyre organizatave.
Sipas këtyre dy dispozitave, përfaqësimi i rinisë në këto organizma është i një niveli të ulët dhe që nuk mund të kapërcejë shumicën e anëtarëve të këshillave. Ngelet në vlerësimin subjektiv të një funksionari politik nëse Këshilli Kombëtar Rinor apo Këshilli Vendor i Rinisë, do të kenë në përbërje të tyre më shumë se gjysmën e anëtarëve që përfaqësojnë organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë.
Këto parashikime ligjore në praktikë do të sillnin si rezultat që ministri përgjegjës për rininë dhe kryetari i bashkisë, organe këto që kryesojnë këto këshilla, të ruanin pozitën dhe shumicën vendimmarrëse, duke bërë praktikisht të pamundur vlerësimin objektiv të situatës të të rinjve dhe zbatimin e planeve dhe politikave rinore në nivel vendor, sipas propozimeve që do të sillnin organizatat rinore që marrin pjesë në këto këshilla.
Ky proces emërimi politik dhe ky nivel përfaqësimi që ngelet sërish në lirinë e veprimit të një funksionari politik vendos realisht nën kontroll dhe mbikëqyrje rininë shqiptare dhe krijon rrezikun që çdo përfaqësues me peshë dhe zë objektivisht opozitar me vullnetin politik që qeveris qoftë në nivel vendor apo vendor, të ngelet jashtë këtyre organizmave apo zëri i tij të mos merret parasysh.
Në këtë mënyrë çdo zë ndryshe apo kundër me politikat e qeverisë apo pushtetit vendor, do të mbulohet me qasje aspak objektive, duke krijuar imazhin e rremë që rinia shqiptare nuk ka probleme thelbësore për të zgjidhur.
Në lexim të parashikimeve të këtyre dy neneve, por jo vetëm, lindin natyrshëm pyetjet: Në cilën mënyrë është ruajtur pavarësia e të rinjve nga strukturat politike qeverisëse? Cilat janë mekanizmat që mund ta mbrojnë rininë shqiptare nga kjo situatë partitizmi, për të mos e kthyer rininë në një imazh të rremë të realitetit ku veprojnë pa u përdorur? A do të jetë e mundur që brenda këtij kuadri ligjor, të rinjtë të përfaqësohen, të shpalosin projekte konkrete dhe, më pas, të marrin vendime dhe financime konkrete?
Pamundësia e garantimit me ligj të një pjesëmarrjeje domethënëse të tyre në këto struktura sjell, rrjedhimisht, moszbatimin e kompetencave, si dhe cenimin e objektit dhe qëllimit të vetë ligjit.
Ligji nr. 75/2019, në këto kushte do të ishte thjesht një mjet krijimi konfliktesh të reja midis pushteteve dhe të rinjve shqiptarë, si dhe një mjet politik promovimi në raste veprimtarish apo synimesh politike të gjithfarëllojshme dhe të çdo niveli qeverisjeje.
Vetë strukturat drejtuese të këtyre këshillave janë parashikuar të jenë funksionarë politikë. Vendosja e të rinjve apo organizatave të tyre nën këtë udhëheqje nuk mundet të sjellë përkrahjen e duhur, por saktësisht efektin e kundërt, atë të vënies në dispozicion të organizatave rinore, rrjeteve rinore e të rinjve nën drejtimin ekskluziv politik.
Kjo cenon rëndë hapësirat dhe hyrjen e të rinjve në vendimmarrjet konkrete dhe i vë ata në tutelën e personave me vizion politik të caktuar njësoj sikur të ishin institucione varësie të tyre. Kjo do të përbënte humbje të pavarësisë dhe vendimmarrjes nga ana e të rinjve.
Ministri dhe kryetarët e bashkive nëpërmjet anëtarësimit të zgjedhur prej tyre do të drejtojnë në mënyrë përcaktuese hartimin e politikave rinore dhe administrimin e të gjithë procesit deri në financimin e tij. Kjo nuk i shërben as mirëfunksionimit të shtetit të së drejtës dhe as përfaqësimit gjithëpërfshirës të grupeve të ndryshme rinore.
Parashikimet e sanksionuara në ligjin nr. 75/2019 cenojnë të drejtën e të rinjve për vetorganizim, pavarësi, si dhe lirinë e tyre në vendimmarrje. Gjithashtu, problematikë paraqet edhe mënyra e përzgjedhjes së organizatave rinore kur procedurat dhe kriteret do të vendosen me aktet nënligjore të Këshillit të Ministrave dhe këshillit bashkiak.
Realiteti qeverisës shqiptar do të vendosë rininë shqiptare në dispozicion të projekteve politike, duke ofruar kështu thellimin e problemeve dhe vështirësive jetike të ndryshme që paraqesin grupmoshat përbërëse brenda kategorisë së të rinjve, për shkak të rrezikut të përdorimit, keqadresimit, heqjes së përfaqësimit, heqjes së kompetencës vendimmarrëse, si dhe pamundësisë së shpalosjes së ideve e projekteve konkrete. Kjo bën që ky ligj të cenojë dhe të mos respektojë lirinë dhe të drejtat e të rinjve, si dhe organizatave rinore që veprojnë në vend.
Shteti shqiptar, nëpërmjet dispozitave të një ligji për rininë, duhet të synojë angazhimin e zbatimit të reformave të mirëfillta dhe krijimin e një rrjeti institucional efektiv dhe efikas me qëllim sigurimin e shërbimeve më të mira për grupmoshat e të rinjve. Në këtë kuptim, ligji nr. 75/2019 nuk siguron synimin dhe qëllimin e kërkuar.
Referuar sa më sipër, Presidenti i Republikës, vlerëson se dispozita e nenit 9 dhe 10 të ligjit nr. 75/2019 duhet të rishikohen edhe një herë nga Kuvendi i Shqipërisë me qëllim përmirësimin e tyre.
- Parashikimet e ligjit nr. 75/2019, përpiqen të krijojnë idenë fiktive se shteti po përmbush objektivat e tij socialë përkundrejt rinisë shqiptare të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, ndërkohë që ligji i miratuar nuk përmbush as dhe parashikimet e nenit 7 të Kartës Sociale Evropiane që garantojnë të drejtën e rinisë për mbrojtje.
Sot në vendin tonë rinia përballet me problematika thelbësore në fushën e arsimit, shëndetësisë, punësimit, strehimit apo të mbrojtjes e përfshirjes sociale. Duke analizuar parashikimet e ligjit nr. 75/2019, nuk shihen të identifikuara shërbime apo rregullime konkrete që ky ligj duhet të sigurojë në drejtim të shtresave të lëna mënjanë, të varfra e të diskriminuara. Kjo do të thotë që, në thelbin e tij, ligji nr. 75/2019 nuk është gjithëpërfshirës dhe i plotë.
Nga studimi i dokumentacionit shoqërues të ligjit, nuk arrihet të kuptohet nëse institucionet pjesëmarrëse në hartim apo në dhënien e mendimit, kanë analizuar në formën e statistikave se sa janë të rinjtë në situatë rruge dhe apo jashtë kujdesit prindëror, sa janë në situatë përfitimi ndihmë ekonomike dhe shërbimesh sociale, në nevojë strehimi, sa janë në situata shfrytëzimi dhe abuzimi, diskriminimi apo bullizmi, përdorues të substancave narkotike, si dhe të problematikave të tjera jo më pak shqetësuese. Ende ministritë e linjës nuk kanë një database për të treguar realisht problematikat, nëpërmjet statistikave, të cilat në bazë të zbatimit të strategjisë për rininë, tashmë duhet të ishin të gatshme, për t’i dhënë zgjidhje këtyre fenomeneve.
Pas analizimit të hollësishëm të situatës do të mundësohej që, nëpërmjet dispozitave konkrete të parashikuara mirë në ligj, të sigurohej një mbrojtje e shëndetit mendor e fizik të kategorisë së të rinjve në rrezik, si dhe përfshirjes së praktikave të suksesshme në punësim dhe trajnim.
Nëpërmjet ligjit për rininë nuk identifikohen instrumentet që do të sjellin rritjen e interesit të të rinjve për arsim (duke pasur parasysh këtu rishfaqjen e analfabetizmit) në përgjithësi dhe atij profesional në veçanti, për veprimtari jashtëshkollore sipas modelit shkolla qendër komunitare (klubet sportive, të artit etj,) për veprimtari vullnetare, adresimin e problematikave me punësimin që kanë jo vetëm të rinjtë me arsim të mesëm, por sidomos ata me arsim të lartë, kur niveli i fushës së ekspertizës së tyre ka mospërputhje me tregun e punës, për trajnime, dhe ku motoja “arsimi për punësim”, thuajse është e paprekur në këtë ligj etj.
Në ligj nuk parashikohen qartësisht rregullime mbi nisma konkrete, se si do të realizohet nxitja e vendeve të punës të të rinjve, por as parashikime se si do të trajtohen rastet e të rinjve me aftësi ndryshe për t’u punësuar si në sektorin publik, ashtu dhe në atë privat, as sesi mund të përfshihen, veçanërisht, të rinjtë me formim të lartë akademik dhe talentet me qëllim ndërprerjen e emigracionit pikërisht të kësaj kategorie. Në asnjë paragraf të ligjit nuk thuhet se cilat do të jenë mekanizmat për të nxitur nismat që do të ndihmonin në nxitjen e vetëpunësimit, apo punësimit të të rinjve që vijnë nga shtresat e lëna mënjanë dhe ato në nevojë.
Ligji nr. 75/2019, nuk qartëson se si do të rregullohet praktikat e punës apo punësimi i mundshëm i të rinjve në institucione shtetërore, organizata jofitimprurëse dhe biznesin privat dhe se si do të duhej që subjektet privat të inkurajoheshin me masa lehtësuese apo mbështetje shtetërore jo vetëm për profesionet e rregulluara dhe praktikat e detyruara që të krijonin kushte objektive që të nxisnin objektivisht zgjerimin e vendeve të punës të profilizuar për të rinjtë shqiptarë.
Ky do ishte një rregullim thelbësor përmes ligjit që mund të përmirësonte në mënyrë graduale cilësinë e jetesës të të rinjve brenda vendit, si dhe rritjen e besimit të tyre se këtu në Shqipëri ata kanë një të ardhme për të ndërtuar të sigurt jetën e tyre.
Jo vetëm kaq, por nisur nga situata e krijuar ku të rinjtë shqiptarë po ikin gjithmonë e më shumë me dëshirë për të ndërtuar jetën jashtë vendit, ky ligj duhet ndërkohë të ofronte mundësi reale dhe shpresë që të dekurajonte emigrimin e tyre jashtë vendit. Kjo gjë nuk garantohet me këtë ligj.
Gjithashtu, në ligjin nr. 75/2019 nuk parashikohet karta rinore që do ta lehtësonte hyrjen e të gjithë të rinjve, qofshin nxënës, studentë apo jo, në shërbime të ndryshme dhe të domosdoshme, të unifikuara dhe të njohura në rang vendi. Deri tani karta rinore po përdoret thjesht si një mekanizëm propagandistik, që nuk po kryen nevojat e lindura për përdorimin e saj dhe që rëndom edhe në ato pak qytete që po përdoret, ajo nuk po përmbush plotësisht nevojat e të rinjve.
Parashikimet e ligjit nuk i japin statusin e aktorit kryesor në pjesëmarrje në hartimin e politikave të rinjve dhe as në vendimmarrje. Për më tepër, mungesa e instrumenteve dhe kërkesat e përgjithshme që ligji sanksionon nuk kanë qartësi për mënyrën e zbatimit në praktikë të vetë ligjit.
Ligji nr. 75/2019, duhet të kishte një frymë trajtimi të të rinjve si partnerë dhe jo në marrëdhënie kontrolli e varësie të organizatave rinore dhe të rinjve, siç ka parashikuar ky ligj. Vetëm trajtimi si partner i pjesës më jetësore të shoqërisë, do të mundësonte qeverisjen qendrore dhe vendore të njëjtësonte problematikat dhe shqetësimet reale me politikën vendimmarrëse për zgjidhjen e tyre.
Problematikë paraqet edhe parashikimi i nenit 8, pika 1, shkronja “ç” ku sanksionohet:
Neni 8
Institucioni përgjegjës për rininë
- Institucioni përgjegjës për rininë është person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për rininë, që financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme dhe ushtron veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Institucioni përgjegjës për rininë kryen këto funksione:
ç) mbështet ngritjen e kapaciteteve të njësive dhe strukturave në nivel qendror dhe vendor;
Kështu, është e paqartë mënyra se si ministria përgjegjëse për rininë do të mund të mbështesë rritjen e kapaciteteve të njësive të strukturës në nivel qendror në kushtet kur kjo strukturë është një strukturë varësie e Këshillit të Ministrave. Pra, një strukturë varësie nuk mundet kurrsesi të ngarkohet me kompetenca që do të ushtrohen për të gjitha institucionet e pushtetit qendror, akoma më e paqartë bëhet situata kur këto kompetenca ushtrohen ndaj pushtetit qendror.
Parashikimi i organeve që do të merren me zbatimin e ligjit, nuk qartëson struktura vertikale dhe horizontale, të cilat do të jenë të ngarkuara me detyra konkrete dhe procedura të sakta vendimmarrjeje apo të jetësimit të ligjit.
Vlerësohet se shtrati ligjor, me të cilin ministria përgjegjëse apo organet e tjera do të funksionojnë, është i paqartë; për pasojë, cenon sigurinë juridike të vetë ligjit objekt shqyrtimi dhe bën të krejtësisht të pasigurt realizimin e qëllimit për të cilin kjo normë e re ligjore po miratohet.
Liritë e të drejtat e të rinjve duhet të jenë çështjet parësore jo vetëm të strukturave politike të shtetit shqiptar, por të të gjithë aktorëve që operojnë në këtë nivel, përfshirë këtu edhe shoqërinë civile.
Kështu, bashkëpunimi duhet të vendosë në një marrëdhënie të privilegjuar të gjithë të rinjtë dhe organizatat e themeluara prej tyre, me qëllim reflektimin e vizionit, prioriteteve dhe objektivave, për të reflektuar për rrjedhojë, adresimin dhe trajtimin e të gjitha problematikave që të rinjtë hasin në përditshmërinë dhe ekzistencën e tyre.
Një rregullim ligjor i qartë sjell rregullim të gjendjes reale të të rinjve dhe pritshmërive që ata kanë për të ardhmen, duke drejtuar në mënyrë thelbësore dhe konkrete aspiratën e vendit për integrim evropian.
Krijimi i hapësirave ligjore për trajtimin dhe zgjidhjen e vështirësive të klasifikuara më sipër duhej të ishte synimi kryesor i ligjit nr. 75/2019; ndërkohë që, ai nuk krijon orientimin e duhur, nuk jep kompetencat e nevojshme, krijon varësi të drejtpërdrejtë politike dhe cenon parimin e sigurisë juridike në shkelje të Kushtetutës dhe parimeve të së drejtës së rinisë për mbrojtje ekonomike, ligjore dhe sociale të parashikuara në Kartën Sociale Evropiane.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Duke vlerësuar se burimi më i rëndësishëm i Shqipërisë janë të rinjtë dhe, bashkë me ta, e ardhmja e vendit, ligji nr. 75/2019 do të duhej të trajtonte objektivisht dhe realisht të gjitha shqetësimet e rinisë shqiptare, në përputhje me vlerat thelbësore të lirisë, shtetit ligjor, barazisë, pavarësisë, mirëqenies dhe sigurisë së të rinjve, duke i mbështetur ata me qëllim sigurimin e mundësisë për punësim të denjë, si dhe sigurimin e shërbimeve të tjera aq shumë jetike për ta.
Krijimi i një kuadri ligjor që respekton dhe mbron të drejtat e të rinjve, garanton parimin e barazisë dhe promovon raste dhe mundësi të barabarta të tyre; për rrjedhojë, është mjeti më efikas për krijimin e demokracisë së konsoliduar dhe shtetit ligjor.
Për gjithë sa u parashtrua më sipër, me qëllimin e vetëm hartimin e një norme të re ligjore në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe aktet ndërkombëtare, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 75/2019 “Për rininë”, në mënyrë që ligji i ri të përmirësohet jo vetëm në nenet 9 e 10 të tij, por në tërësi në mënyrë që ligji i ri për rininë që Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë do të duhet të adresojë drejt, objektivisht dhe me zgjidhje konkrete të gjithë gamën e problemeve dhe shqetësimeve, me të cilat përballen sot të rinjtë shqiptarë.
Me respekt,
Ilir META