Kthimi në auditore dhe vaksinimi i pedagogëve, studentët: Një javë kohë, ose nisim protestat
Dje Komiteti Teknik i Ekspertëve për Covid-19 në Shqipëri, thanë se virusi po pëson rritje të prekjes tek të rinjtë, ndaj dhe mësimi në universitete do të vijojë online, kjo për një kohë të pacaktuar. Peticioni i studentëve bëri që kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli të dëgjojë nga një përfaqësi prej tyre, arsyet se përse e konsiderojnë të domosdoshëm kthimin e menjëhershëm në universitete.
“Kërkuam që seminaret të bëhen në auditore, lëndët praktike t’i kryejmë në laborator. Do të kërkojmë po ashtu edhe reduktimin e tarifave, duke qenë se nuk kemi marrë pjesë në universitete”, thonë studentët.
Paralajmërimit të shefes së Spitalit Covid 1, studentët iu përgjigjën me një kërkesë shtesë drejtuar Komitetit të Ekspertëve. ”Kërkuam brenda mundësive vaksinimin e pedagogëve, të cilët do të na shërbejnë për lëndët e seminareve si dhe për ato praktike në laboratore”.
Mesazhi i fortë nga studentët, është se ata do të presin mesin e javës së ardhshme për një përgjigje zyrtare nga Komiteti i Ekspertëve. Në rast të kundërt, ata premtojnë se do të organizojnë edhe protesta.