Ku e katandise opozitën, Lulzim Basha….!
Nga Ermal Mulosmani
97 deputetë të Parlamentit të Shqipërisë votuan sot kundër dekretit të Presidentit të Shqipërisë, për emërimin e anëtares së re të Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari. 4 deputetë abstenuan dhe asnjë kundër.
Vini re, asnjë deputet nuk votoi “pro” dekretit të Presidentit ndër 101 votues!
Një votim kaq unanim të bën të mendosh se Presidenti i Republikës është çmendur! Në fakt, Presidenti ka zbatuar rigorozisht Kushtetutën e shkelur me të dyja këmbët nga Kryetari i KED-it dhe nga Parlamenti.
Kur pashë këtë votim, m’u kujtua Lulzim Basha në shkurtin e këtij viti. Para një turme jo të vogël militantësh, në oborrin e PD-së, deklaronte me emfazë “Mbaroi”! Një entuziasëm delirant i vihej re jo vetëm në sy e portret por në gjithë qenien e tij. Kryetari i PD-së e shoqëroi fjalën me gjestin e kryqëzimit të duarve për t’i dhënë dërrmën e fundit shpresave të ndokujt për të kundërtën.
Ishte pak a shumë veprimi që pritet prej tij në momentin kur do rrëzonte Edi Ramën dhe pregatitej të qeveriste Shqipërinë! Pra ditën kur do fitonte zgjedhjet e përgjithshme.
“Mbaroi” – tha Kryetari i PD-së – por nuk e kishte fjalën-fatkeqësisht- për Edi Ramën! E kishte fjalën për mandatet e opozitës në Parlament.
Partia Demokratike me aleatë iku nga Parlamenti duke i dhënë fushë veprimi të plotë Edi Ramës. Qysh nga ajo ditë e deri më sot, Parlamenti u vu në dispozicion të Kryeministrit por edhe një estradë me kllounë që argëtojnë studiot televizive!
Vetëm tre muaj më pas “mbaroi” edhe çdo shpresë opozitari duke ia dorëzuar çelësat e gjithë Shqipërisë Edi Ramës! Pas Parlamentit ia dorëzuat Kryeministrit të gjitha Bashkitë e Shqipërisë, nga Saranda në Tropojë!
“Mbaroi” edhe Presidenti i Republikës, pasi, në përpjekje për të mos dorëzuar pluralizmin që dorëzuat ju, bëri çdekretimin e datës së zgjedhjeve me shpresën që në një datë tjetër, të mëvonshme, Partia Demokratike do të merrte pjesë. Për çudi, ky veprim i Presidentit pati edhe mbështetjen tuaj, çka tregonte çorientim total! Pra, ju zoti Kryetar i PD-së po i mbështetnit zgjedhjet lokale me 13 Tetor. Atëherë, pse nuk more pjesë me 30 Qershor nëse je dakort të marrësh pjesë më 13 tetor?! Çfarë ndryshon nga Qershori në Tetor që ju mbush mendja të merrni pjesë?
Më vonë, ky çdekretim dhe procesi parlamentar që e ndoqi atë, e ktheu në qesharak Presidentin. Filloi të shkonte sa te Ulsiu e sa në Venecia për të mbrojtur postin e tij duke humbur çdo shenjë dinjiteti institucional e duke u kthyer si nëpunës i rëndomtë i Ramës! Tani, për më keq, po përpiqet të emërojë në Gjykatën Kushtetuese anëtarë afër tij që t’i japin votëbesimin. Megjithëse po e bën në mbështetje të kompetencave të veta, duke respektuar plotësisht ligjin, fakti që këta gjyqtarë do e kenë në dorë fatin e tij e bën të paragjykueshëm. Askush nuk hap ligjin, të gjithë thonë “Ky ka hallin e vet”! Në këtë situatë e çoi kapitullimi total i juaji zoti Basha.
Këtu mbaroi çdo shpresë për të kundërshtuar Kryeministrin më të pushtetshëm që ka njohur historia pluraliste e Shqipërisë. Të cilit iu dhurua 100% e Parlamentit, 100% e pushtetit lokal, Reforma në Drejtësi, Prokurori i Përgjithshëm, Gjykatat, Tenderat, Mediat.
A thua nuk i mjaftonin aq sa kishte!
Çfarë fituat nga dalja nga Parlamenti zotëri, sot, 8 muaj më pas?
Që të mbyllet pluralizmi nuk ka nevojë të dalë jashtë ligji Opozita. Mjafton që ajo të japë dorëheqje, të rrijë si fasadë, që qindra mijëra opozitarë t’i shkojnë nga mbrapa një të paafti. Kur them i paaftë kam në mendje 100 epitete të tjera por po shkruaj atë më të sigurtin.
E di që duke i shkruar këto fjalë, sot, do ndiqem nga sllogani “Nuk është momenti, a po e sheh se çfarë po bën Edi Rama”! E kam të qartë edhe vetë por tashmë jam i bindur, rrëzimi i Edi Ramës fillon nga rrëzimi i Lulzim Bashës.
Kryetari i Partisë Demokratike nuk përfaqëson veten. Ai është mishërimi i shpresës së qindra mijëra kundërshtarëve të një pushteti abuziv. Kjo i tejkalon edhe votuesit e Partisë Demokratike, madje edhe anëtarëve të tjerë të Opozitës. Nëse dështon t’a kryejë këtë punë duhet të hapë rrugë. Një dorëheqje e Lulzim Bashës është shërbimi më i madh që mund t’i bëjë Partisë Demokratike pas shumë shërbimeve që i bëri Pushtetit. Është detyra e çdo opozitari që e don rrëzimin e Edi Ramës t’ia bëjë të ditur Lulzim Bashës që nuk është ai personi që do t’i çojë ata drejt Pushtetit. Edhe nëse Lulzim Basha do ta marrë ndonjëherë pushtetin (nuk përjashtohet që zullumi i Edi Ramës të trashet aq shumë sa të vijë dita që populli t’ia dorëzojë atë Bashës), ky pushtet do i ketë ditët e numëruara!
Kohë të shkuara kam shkruar edhe njëherë për këtë temë. Pata rekomanduar si Kryetar të PD-së zotin Agron Shehaj, një ish deputet të saj që shquhet mbi të gjithë për opozitarizmin e tij. I kam pasë përmendur aty arsyet se pse e kam propozuar atë e jo një tjetër. As nuk e njoh e as takuar ndonjëherë në jetën time. Atë kohë, Agroni u kujdes menjëherë që të kundërshtonte idenë duke treguar mungesë ambicie dhe një konformizëm të papritur. Duket që çerrat e PD-së e kishin kërcënuar. Sepse sa më i paaftë lideri i ardhshëm aq më të dhunshëm janë mbrojtësit e tij. Vetëm me një të paaftë do bëjnë qejf ata.
Partia Demokratike duhet ta kuptojë që pengesa më e madhe e saj në rrugën drejt pushtetit është Kryetari i saj. Do ishte e mrekullueshme që këtë ta kuptonte i pari ai e të hapte rrugën. Ka akoma kohë.
KOHA JONË SONDAZH

