Kumbaro: Kërkojmë angazhimin e të gjithëve gjatë sezonit veror, pastërtia është sfidë

Ka nisur për të tretin vit radhazi operacioni “Plazhe të pastra”. Është Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit që do të mbështesë me një operator shtesë pastrimi bashkitë bregdetare nga muaji qershor deri në shtator, që përkojnë edhe me pikun e sezonit turistik.

Përmes këtij operacioni, Agjencia Kombëtare e Bregdetit u bashkohet ekipeve të bashkisë me pajisje shtesë pastrimi dhe burime njerëzore duke dyfishuar kapacitetet përgjatë vijës bregdetare në bashkitë Himarë, Vlorë, Sarandë, Rrogozhinë, Kavajë, Durrës e Shkodër deri më 15 shtator.

“Nis operacioni “Plazhe të Pastra” ku Agjencia Kombëtare e Bregdetit bashkon forcat me bashkitë duke siguruar dyfishimin e frekuencës së pastrimit në plazhe. Modeli i mirë i pastërtisë në bregdet është sfida jonë e sezonit turistik veror të cilën nuk e përmbushim dot pa bashkëpunimin tuaj”, njoftoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në nisje të këtij operacioni.

Më herët, ministrja Kumbaro së bashku me stafet e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit ka zhvilluar inspektime në bashkitë bregdetare për t’u takuar me përfaqësues të pushtetit vendor dhe bizneset me qëllim koordinimin për mbarëvajtjen e sezonit turistik bregdetar. Për herë të parë, këtë vit operacionit i bashkohet edhe Bashkia Shkodër me plazhin e Velipojës.

Procesi i pastrimit në territor kryhet nga bashkitë, por nisur nga flukset e shtuara turistike prej tre vitesh tashmë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka vendosur të mbështesë njësitë vendore gjatë muajve të fluksit. Rreth 974 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit maji 2024, duke e çuar në më shumë se 3.3 milionë shifrën totale të flukseve turistike hyrëse në pesë muajt e parë të vitit në vendin tonë.

SHKARKO APP