Kur lufta trazon paqen

Nga Flutura Açka-
Kur lufta trazon paqen
Një libër i ri, por këtë herë jo për Shqipërinë por me shkak Shqipërinë, nga mikja e shqiptarëve, Gerda Mulder.
Gjithnjë ka një shkak për të shkruar një libër. Pas vitesh të tëra udhëtimesh të shpeshta në Shqipëri dhe shumë libra të shkruar për bukurinë shqiptare, Gerda Mulder, mikja ime dhe e shqiptarëve, u magjeps pas një historie që lidhej me qytetin e saj të lindjes në Holandë, Apeldoorn.
Një letër me shkrim dore e tetorit të 1940-ës, vitit të parë të luftës në Holandë, e nënë Leonisë, djali i së cilës, Kurt Opolski, sapo ishte vrarë si pilot në betejën e pushtimit nazist të Norvegjisë mbi fjordin e Oslos, ra në duart e autores. Steven Reitsma, së cilit nëna ia niste letrën, kishte lexuar në gazetë njoftimin për vdekjen e pilotit të ri, të cilin e kishte njohur në koloninë e Bandung në Inditë Holandese. Letrën Gerda Mulder e gjeti letrën pikëlluese të nënës tek shfletonte shënimet mbi Shqipërinë të gazetarit dhe ushtarakut Reitsma, një mik i ngushtë i kolonel Tomsonit, heroit të shqiptarëve. Pra, sërish Shqipëria u bë shkak i këtij libri.
Leonie, nëna, tregon në letër dramën e të birit, Kurt Opolskit, i cili, për shkak të moshës së re nuk mund të aplikonte për shtetësinë holandeze të së ëmës dhe i joshur nga ëndrra akute për të fluturuar – e shpeshtë ndër djemtë e atyre viteve – i shtyrë fort edhe nga i ati, një ushtarak gjerman i marinës, shkon në Gjermani për të studiuar për pilotim. Edhe divorci i herët i prindërve, mund të ketë luajtur rol në dëshpërimin e djaloshit të ri, po të nisemi nga koha për të cilën flasim.
Historia dramatike e librit e thënë shkurt:
[Nga Vjena ku ishte vendosur në veren e vitit 1939, Kurti i ri kthehet në Holandë i zhgënjyer nga nazistët dhe ethet për luftë të mjedisit ku jetonte dhe kalon netë të tëra me të ëmën me rrëfimet e asaj bote, tek e cila nuk dëshiron të kthehet më. Kështu vendos të studiojë për gjeologji, në pritje të bëhet më në fund shtetas holandez sapo të mbushë 18 vitet. Por në shtator vjen thirrja e mobilizimit nazist dhe si gjerman që ishte, nëse nuk shkonte nën armë, do të quhej dezertor, dhe do të ishte në kërkim. Gjithaq, edhe po të qëndronte, ai e kishte nënshkruar vdekjen, sido që të vendoste, ndaj shkon në Gjermani. Por motra e tij, Ninette, vajza e vogël e familjes, përfshihet në rezistencë kundër gjermanëve, një zgjedhje shumë e rrezikshme. Në shtëpinë e tyre luksoze në Apeldoorn, nënë e bijë fshehin pilotë kanadezë që desantojnë prej avionëve të tyre gjatë luftimeve. Ninette dhe nëna e saj aristokrate – e vënë të mbronte ata kundër të cilëve kishte bombarduar dhe ishte vrarë i biri – nga shtatori i vitit 1944 deri në maj 1945, iu desh të ishin në ilegalitet të plotë, sepse kërkoheshin nga gjermanët.]
Historia e Ninettes dhe familjes se saj, i ngjan aq familjeve europiane, që vite me vonë mund të rrëfehen si histori, por atëherë kur kanë ndodhur, kanë pasur padyshim fatin e diktuar nga koha. Njeriu zgjedh, por ndonjëherë në kohëra të turbullta, kryqëzimi në rrugën që do të zgjedhësh, është pa shenja të qarta, veçmas kur ti je shumë i ri për maturinë që të kërkon çasti vendimtar.
Pse nuk e pengoi të birin të ikte në Gjermani? Drama e Leonies si nënë dhe e Ninettes si motër, i kapërcen në libër – por edhe në jetën reale – kufijtë politikë, ushtarakë. E kapërcen kohën e vet.
Paula Prociuk, e bija e Ninette Opolskit ka ardhur në Apeldoorn, në fushëbetejën e dikurshme, enkas nga Kanadaja, të nderojë studiuesen dhe auroren e librit të historisë së familjes së saj, Gerda Mulder, por edhe të shpërndajë hirin e së ëmës – e cila ka vdekur disa muaj më parë në Toronto – mbi fushën që tani është varreza e të rënëve të Luftës së Dytë Botërore, mes tyre edhe e pilotëve kanadezë. Ata janë bashkombasit e saj, si bijë e një ushtaraku të thjeshtë kanadez, me të cilin u martua së dyti aristokratia Leonie.
Ndërsa varri i të ungjit – atij djaloshi fare të ri, i cili mbeti peng i luftës, shtetësive dhe ëndrrës – do të qëndrojë përjetë diku në ujërat e fjordit të Oslos, për të kujtuar se sa e thellë është pesha e dramës që sjell lufta, aq sa trazon çdo kohë, sado e paqtë të duket.
Apeldoorn, 2 tetor 2022

SHKARKO APP