”Kurbanët e Ramës”, Manjani: Vetëm Ai nuk ka faj, mbrohet duke sulmuar
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, përmes një postimi në facebook, ka rikujtuar të gjitha ngjarjet e rënda ku i përfshirë është Kryeministri Edi Rama por që sipas tij, kreu i qeverisë ka gjetur ”kurbanët”. Teksa me ironi thotë se fajin për tërmetet e ka Presidenti Meta, apo dhe se kur i dalin pislleqet e drogës “fajin” e ka Sajmiri dhe Fatmiri, Rama thotë Manjani, mbrohet duke sulmuar. ”Ka pa fund raste të tilla që tregojnë se si Kryeministri mbrohet duke sulmuar të tjerët. Sigmud Freud e pikasi këtë taktikë mbrojtje tek pacientët e tij. Vetëm Ai ska faj! Kurbani është libri më famëkeq e më i palexuar që po përjeton vendi”,-shkruan Manjani në facebook.
Postimi i plotë i Ylli Manjanit
Scapegoat, dmth të akuzosh dikë tjetër për ato që bën vetë. Në shqip fjala e përafërt është Kurban. Psh, kur e akuzojnë se po fut në treg kompani ruse me lidhje të forta politike, “fajtor” del Lulzim Basha se medemek paska pranuar donacione Ruse. Kur e akuzojnë se kanabizoi vendin, “fajtor” shpallet Berisha, opozita dhe Lazarati. I thonë që ka shkërmoqur Kusjtetutën dhe Institucionet e shtetit, “fajtor” shpallet Ilir Meta.
Godet ashpër mendimin dhe fjalën e lirë, por “fajin” e ka gjithmonë ai që flet. Kapet në flagrancë duke drejtuar operacionin e vjedhjes së votave, “fajtor” shpallet BILD në bashkëpunim me Basir Çollakun e ndonjë prokuror…
Kapet ngushtë kur i dalin pislleqet e drogës, por “fajin” e ka Sajmiri dhe Fatmiri. Ministri i Brendshëm e çon në qeli me dorën e tij të vëllanë, por “fajin” e ka Salianji. U kap gafil me tërmetet e vjeshtë-dimrit, por “fajin” e kanë mediat, facebook-sat dhe, sigurisht qentë. Bie tërmet, por “fajin” e ka Ilir Meta.
Njerëzit i ankohen se u janë çarë muret, por “fajin” e ka madje edhe vetë Erioni që nuk e ka lyer shkallën vetë me dorën e tij. I sulmon shumë ashpër prokurorët e gjykatësit i quan KÇK dhe bën dhe ligje për ti sunduar me policë, por prap “fajin” e ka Lulzim Basha.
Ka pa fund raste të tilla që tregojnë se si Kryeministri mbrohet duke sulmuar të tjerët. Sigmud Freud e pikasi këtë taktikë mbrojtje tek pacientët e tij.. Vetëm Ai ska faj! Kurbani është libri më famëkeq e më i palexuar që po përjeton vendi.