Kush është Carlos, kolumbiani i kokainës që i shpëtoi arrestimit. Në kërkim edhe një grua

Të tjera detaje. Të tjerë emra që Prokuroria e Krimeve të Rënda po zbulon në hetimin për rrjetin e kokainës. Një personazh misterioz dhe një grua e identifikuar. Dy persona që dyshohet se luanin fijet e organizatës së përpunimit dhe shpërndarjes së lëndës narkotike që prodhohej në Xibrakë të Elbasanit.

Carlos

Dy kolumbianët që punonin në laboratorin e përpunimit të lëndës narkotike në Xibrakë të Elbasanit kanë hedhur befas një emër tjetër në lojë, të papërmendur deri më tani: Carlos. Ai është personi që i ka kontaktuar në Bogota të Kolumbisë. Ai u ka premtuar t’u gjente punë në Greqi. U ka paguar biletat e udhëtimit Bogota – Lisbonë – Romë – Athinë e më pas atë të hyrjes në Shqipëri, përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavisë. Cezar Avila dhe Valther Moreno thanë në gjyq, ku u njohën me masën e sigurisë, se vetëm në Greqi Carlos u tha se do të punonin në një laborator droge. (Një alibi pak e besueshme kjo, sepse ata ishin ekspertë të përpunimit të kokainës). Ata nuk kishin pranuar, por Carlos, i kishte detyruar duke i kërcënuar, -gjithnjë sipas versionit të tyre të dhënë në gjykatë. Karlos ishte një nënshtetas hollandez, me origjinë nga Kolumbia. “Qëndronte shpesh në laborator. Ishte edhe në momentin e operacionit policor, por nuk u arrestua”. Ky fakt e bën akoma më misterioz këtë personazh, për të cilin nuk është folur asnjëherë më parë. Një trillim i kolumbianëve për të ngarkuar me përgjegjësi dikë tjetër që nuk bën pjesë në grupin e 9 të arrestuarve? Por ata insistojnë se edhe pagesat i kishin marrë prej tij, një herë 4 mijë euro dhe një herë tjetër një pagesë prej 5 mijë eurosh. Prokuroria për Krimet e Rënda ka dijeni që një person i kishte kontaktuar dy kolumbianët në Bogota, por ende nuk ka dhënë ndonjë emër. Në kërkim është shpallur Genci Xhixha, një 39 –vjeçar që jeton prej disa vitesh në Kubë, i martuar me një vendase, e që dyshohet se mbante lidhjet mes furnizuesve në Amerikën Latine dhe rrjetit shqiptar. Ai është mik i Ermal Hoxhës, nipit të ish –diktatorit. Të jetë ai Carlos? Sipas kolumbianëve që e përmendën për herë të parë këtë emër, jo. Ata thonë se ai ishte me origjinë nga vendi i tyre, por me pasaportë hollandeze.

 

P.E, një femër “koka” e grupit që trafikonte kokainën drejt Gjermanisë

Një tjetër personazh i kësaj historie të denjë për filmat mbi kartelet e drogës në amerikën latine është në kërkim: një grua. E identifikuar me inicialet P.E, emër shqiptar dhe mbiemër të huaj, ajo rezulton të jetë njëriu kyç në transportin e kokainës që prodhohej në laboratorin e Xibrakës drejt Gjermanisë. Emri i saj është përmendur nga autoritetet gjermane që ranë të parët në gjurmët e rrjetit të kokainës me bazë në Shqipëri. Ajo mbante lidhje të ngushta me Ilir Hysenin, i cili njihej edhe me emrin Bali Meta. P.E. është ende në kërkim dhe i ka humbur gjurmët që prej operacionit të së mërkurës.

Një teori konspirative

 Këto të dhëna, ende të pakonfirmuara zyrtarisht, flasin për dy personazhe kryesorë në rrjetin e përpunimit, prodhimit dhe trafikimit të kokainës. Policia dhe vetë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duke dashur të marrin mbi vete suksesin e operacionit, thonë se rrjeti i godit pasi policia i ka prerë fijet me krimin dhe operacioni nuk u dekonspirua. Por nëse dy personat me rol kyç në këtë rrjet, Carlos dhe gruaja me inicialet P.E, nuk janë arrestuar ende, lindin dyshime të forta për dekonspirimin e operacionit për t'u mundësuar largimin krerëve të këtij rrjeti. Ilir Hyseni, i konsideruar si një prej drejtuesve të grupit, tha në Gjykatën e Krimeve të Rënda, se nëse ai do të fliste, do të duhej të arrestoheshin 120 persona.

Sa kokainë prodhohej në ditë

Laboratori i kokainës kishte vetëm pak javë që kishte nisur nga puna. Ndoshta 1 muaj. Ekspertët gjermanë që po asistojnë Prokurorinë për Krimet e Rënda thonë se të gjitha provat flasin për një laborator të sapongritur. Sasia e kokainës që dy kolumbianët arrinin të prodhonin ishte rreth 500 gram në ditë. Ditën e operacionit, ata sapo kishin përfunduar përgatitjen e 450 gramëve kokainë. Nxjerrja e saj kalonte në disa proçese, nga tretja prej rrobave me të cilat hynte në Shqipëri, deri tek përzjerja me disa lëndë kimike, sipas një formule që e dinin vetëm dy kolumbianët. Një proçes i gjatë që përfshin edhe distilimin e përzjerjes së lëndës së parë ku fshihej kokaina, që në disa raste ishte edhe një solucion për përpunimi e lëkurave, e në fund atë të presimit dhe të pjekjes së masës së kokainës së përftuar, në mikrovalë. Për shkak të këtij proçesi të gjatë dy kolumbianët kanë arritur në 1 muaj të prodhojnë vetëm 18.5 kilogram kokainë të pastër. Sasia e drogës dyshohet të jetë më e madhe, por ajo është ende e papërpunuar dhe dyshohet se ndodhet në fuçitë me solucion për përpunimin e lëkurave, që u gjetën në laboratorin e Xibrakës.

SHKARKO APP