Kush është oficere për koordinimin e diasporës në Athinë? Një meditim pa dorashka nga komuniteti i heshtur edhe për këtë mandat

Nga Keli Ikonomi, Greqi

Mos prisni të shpalosim personalitetin e sapoemëruar! Pyetja nuk është as trik gazetaresk, as retorike. Kemi një pyetje reale, për një tjetër akt a vendim të radhës, vijim i taktikës së mësuar përmendësh në “shërbim” të komunitetit tonë. “Foleja” e Ambasadës së Shqipërisë në Athinë mbarset e mbart vetëm “zogj” partiakë, që në prag të fushatës është normale të shtohen së tepërmi.
Kush është, pra, oficerja për koordinimin e diasporës në Athinë, bomba që na ra papritur?
Reagimi i parë ishte “Emërim tjetër pas atij të Gazmend Kapllanit”?
I dyti “Prapë pa transparencë, të paktën një procedurë tipike, të mblidhnin disa CV, sa për sy e faqe”.
I treti “Po kush është kjo vajza kaq e re”?
Vërtet, në vendimin e zyrtarizuar tashmë ka të gjitha detajet për të dy zonjat, përveç mungesës së kritereve të përzgjedhjes. Të cilat, nuk i morrëm me mend, i bërtasin “veprat”, e ç’u shkrimë!
Oficere e Selanikut është një njeri i dashur i komunitetit, me kontribut shumëvjeçar në misionin tepër fisnik të mësimëdhënies, që e bën me vetëmohim, me pasion, me vullnet. Po ashtu, disponon një CV të pasur me pjesëmarrjen aktive në mjaft evenimente mbresëlënëse. Natyrisht, ish-përfaqësuese e Partisë Socialiste për zonën ku banon dhe anëtare e rregullt e celulës së Greqisë. Po dihej që do ishte njeri i partisë, kush do bënte listën e diasporës, në prag të zgjedhjeve?! E megjithatë, hallall, pavarësisht se do duhet të lejoheshin edhe të tjerë, akoma edhe mësues të Selanikut, të provonin fatin e tyre.
Oficere e Athinës është një vajzë e re fare e panjohur. Në CV të saj ka diploma si çdo bashkëmoshatar në Greqi e kudo,po kush student nuk ka bërë një e dy Erasmus, po dhe një master e kanë në xhep si për shaka brenda 1 viti e kështu me radhë. Ka dhe nga ata me diploma ekselente e trofe, që i nderon bota, po as i fërshëlleu njeri për postin. Në temë, kontribut në komunitet ka një zero absolute. Atëherë, si u gjend papritur me pasasportë diplomatike, shtëpi, shëtitje, makinë nga shteti shqiptar, gjithë paketën e një diplomati shumëvjeçar, ky fëmijë thuajse i panjohur? E vërteta u zbulua krejt rastësisht në këtë fotografi inoçente, të kemi me jetë facebook-un.
Po ja pra, qenka njeriu, domethënë njeriu në krahë për jetë e ish-aktivistit, sot dora e djathtë e kryetarit të Partisë Socialiste Greqi, që vret e pret se i ka të gjitha. E thjesht, si do lihet lista e votuesve të Athinës në dorën e kujtdo?!
Pyesim ne çfarë vepre do ofrojë vetë vajza? Po punë e madhe se e vrasim ne mendjen, as e para e as e fundit do jetë në listën e të përkëdhelurve, ka kohë boll të mësojë e akumulojë eksperienca….
Nuk duhet të indinjohemi, as të flasim, kur vjen fjala për t’u shfrytëzuar deri në palcë e tallur hapur,ne jemi vetëm një komunitet pa kapacitet, nivel i ulët, të prapambetur!
Sepse tallje është, të nderuar zotërinj, kur vendosni lajmërim “transparent” për punësimin e punëtorëve në konsullatë, po emërimet “e dhjamura” i bëni pas telefonatave të brendshme. Le që edhe “beteja rrufe kundër korrupsionit” ishte veçse argëtimi i radhës, po të marrim emrat një e nga një, lajmërimi ishte sa për të mbyllur gojën.
Së fundi, pyetja mbetet e hapur për përgjigje, e këtë vetëm puna e vajzës së re e pa eksperiencë në çështjet komunitare mund ta jap. Do dijë vallë të qëndrojë para prindërve që kanë studiuar me gjak fëmijë ekselentë e që as u ofrohet një dritare, çfarë dritare, as me dylbi nuk shohin shansin të ofrojnë për atdheun? Se të rinjtë nuk shkelin në ambasadë, e kanë harruar vite e dekada e mirë kanë bërë.
Problemi ynë nuk qëndron se duam të grindemi vazhdimisht, jo aspak, tjetërkund është. E keni Ju, të djathtë më parë, të majtë sot e sepse kemi përshtypjen se kështu do jetë përjetë!
Ju që mendoni se njerëzit “vota e remitanca” këtu jo vetëm hanë bar, po gjithashtu nuk dinë as të flasin, as të mendojnë, as të gjykojnë, le më t’ju venë në vendin e duhur. Aq mirë dinë e munden sa s’e keni idenë. Nuk i ndyjnë duart vite, heshtin, ikin nga sytë këmbët, kjo po, qëndron!
Meqë fushata e çeli siparin, po e mbyll me një element tjetër tipik: Të gjitha partitë, pa përjashtim, lejoni në fazat kritike për të ardhmen e pushtetit disa militantë të transformohen në institucione e të marrin vendime për fatin e njerëzve.
Jo, nuk janë e s’bëhen dot kurrë institucion, individë janë dhe e shumta të bëhen dhe antipatikë e të hyjnë në kategorinë tuaj, si politikanë të paktën, që e keni të qartë se krahasohet lehtë me statusin e “non grata”…

SHKARKO APP