Kush i çon policët në duart e vrasësve?
Nga: Redjon Shtylla
Vrasja e ”Dëshmorit të Atdheut”, Saimir Hoxha nga dora e 21-vjeçarit, është më shumë se një lajm i kronikës së zezë, pasi është një këmbanë alarmi që sa herë ndodh një krim i tillë, dëgjohet por nuk veprohet. 44-vjeçari u vra në krye të detyrës, por këtu nis lajmi.
Sa i mbrojtur ishte Hoxha? Sa siguri dhe mjete i ofron Policia e Shtetit uniformave blu? Për fat të keq, Hoxha është në mesin e 225 policëve të vrarë në vitet e fundit. Forcat speciale në vend, si RENEA apo FNSH-ja janë të pajisur, por policët dhe zyrtarët si Saimir Hoxha, në trup kanë veç se uniformën me bluze, pantallona dhe kambale.
Pse Hoxha dhe kolegët e tij ishin në atë zonë? 3 oficerë policie u dërguan për të asgjesuar kanabis sativa, në një zonë të konsideruar problematike dhe janë dërguar pa marrë parasysh rrisqet. A kishin informacione se kush ishte 21-vjeçari që jetonte në Lezhë? I dënuar më parë, problematik dhe mbi të gjitha një person i cili duhet të qëndrojë në masën e “arrest shtëpie”, a me të është në shtëpi?
Nëse nuk i ka kapacitet, pse nuk flasin hapur, të shtrojnë problemet. Ne shpallim prioritet luftën me drogën, dhe harro kriminelët që jetojnë në mesin tonë. Nuk mundet një patrullë policie të jetë e fortë dhe e stërvitur për ti bërë ballë të fortit, kriminelit.
Homazhet e sotme përpara trupit të pajetë të policit, janë prekëse. Familja e pikësuar, dhe politika e hidhëruar, por është kjo politikë që dje, sot dhe nesër do të nxjerrë në rrugë, të pasigurtë përballë krimit. Shqipëria është në luftë me krimin, dhe lajmet e kronikës së zezës pothuajse çdo ditë dalin me ngjarje të reja.
Pra po jetojmë në një shoqëri që është e rrethuar me vrasës, dhe Policia e Shtetit nuk mund të hidhet në rrugë, ashtu, pa masa, për të mbrojtur qytetarët, kur ata në rradhë të parë nuk kanë të sigurtë jetën e tyre. Jemi përballë një fakti të pamohueshëm, që Policia e Shtetit është e dobët përpara një krimi. Vrasja e Lezhës ndodhi rastësisht, por jeta e efektivit iku nga një plumb i një të riu që iku nga kjo botë pas një jetë me ngjarje kriminale.
Në Policinë e Shtetit duhet reformë jo për të ndërruar postet siç është bërë ndër vite, por për të forcuar krahët e tyre, për të qenë efektivë të përgatitur përballë krimit, dhe jo të dërgohet për ”shëtitje” dhe aty ata humbin jetën. Një patrullë policie nuk mund të dërgohet në një zonë problematike, pasi aftësia e tyre dhe përgatitja nuk ësshtë përballë krimit.
Vendi ynë ka një polici të frustruar dhe ka shumë probleme në radhët blu, ndërsa nga ana tjetër, kemi kriminelët që kanë uri për vrasje.