Kushtetuesja i jep kohë Presidencës për provat shtesë, juristja e Aleancës: Do vërtetojmë që Teatri ka qenë monument kulture

Gjykata Kushtetuese ka shtyrë dhënien e vendimit për shembjen e Teatrit Kombëtar, duke pranuar pretendimin e Presidencës për të marrë prova shtesë. Por nga ana tjetër, Gjykata ka refuzuar thirrjen e dëshmitarëve të kërkuar nga presidenca, me pretendimin se nuk janë të nevojshme deklarimet e tyre.

Juristja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Adriana Kalaja në një prononcim për mediat tha se Gjykata Kushtetuese pranoi 2 prej 3 kërkesave të parashtruara nga ata. Teksa e cilësoi si një fitore të momentit, Kalaja tha se është kërkuar që në seancë të paraqitet edhe një ekspert për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ku do të vërtetohet që godina ka qenë një vepër arti.

“Ne parashtruam disa kërkesa paraprake. Nga këto kërkesa 2 nga 3 u pranuan. Kjo është fitore e momentit. Sot e çmojmë se nisi çështja në Gjykatën Kushtetuese. Ato që kemi kërkuar ne, mënyrën sesi e kemi ngritur çështjen në Kushtetuese, do ta detyrojmë që të jetë pro Teatrit. Ne kemi parashtruar në kërkesat paraprake se jo vetëm që jemi bashkuar me palën e presidentit, si palë e tretë, po kemi kërkuar përveç dëshmitarëve të na lënë të paraqesim edhe ekspertë. Eksperti do të jetë në fushën e trashëgimisë kulturore, një ekspert që ka dijeni të posaçme. Ngërçi është se palët e interesuara, duke nisur nga Kuvendi, Kryeministria, Ministria e Kulturës dhe asaj të Financave dhe bashkia Tiranë sjellin argumentin se Teatri nuk ka qenë monument kulture. Ne do të vërtetojmë se Teatri jo vetëm që ka qenë pjesë e zonës historike, monument kulture, por heqja është bërë për t’ju hapur rrugë prishjes së Teatrit”,-tha Kalaja.

SHKARKO APP