Kushtetuesja rrëzon padinë për Portin turistik të Durrësit! Asnjë pengesë për projektin e Marinës
Këtë të premte, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e deputetëve të opozitës për Portin Turistik të Durrësit. Me vendimin e marrë sot, Kushtetuesja ka rrëzuar kërkesën e 37 deputetëve të opozitës të cilët kërkonin shfuqizimin e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe. Kështu s’ka më asnjë pengesë për ndërtimin e projektit të marinës.
Memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Portit të Durrësit u nënshkrua më 11 gusht në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe zhvilluesit me famë botërore Muhammed Alabbar. Investimi për ndërtimin e këtij porti është 2 miliard dollarë.
Në projekt përfshihet ndërtimi i Portit të Thatë që do sjellë ndërtimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejner deri në 2050.
Njoftimi i plotë
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, pasi mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me nr. 7 (Nj) 2022 të Regjistrit Themeltar, me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve (36 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 145/2020, datë 03.12.2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 145/2020, datë 02.12.2020, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronjat “a” dhe “b” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 52, 52/a dhe 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,
VENDOSI:
1. Rrëzimin e kërkesës.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
KOHA JONË SONDAZH

