Kutia e Shërbimeve Publike/Peleshi: Instrument i qytetarëve për të kontrolluar Qeverinë

"Kutia  e shërbimeve publike është  një aplikim në faqet FB të ministrive, por edhe dhe të kryeministrit, ku qytetarët do të mund të regjistrojnë ankesat dhe denoncimet  e tyre për çdo problem që hasin gjatë marrjes së një shërbimi në zyrat e shtetit.

Për ne, përmirësimi dhe modernizimi i shërbimeve publike është një prioritet. Ne jemi të vetëdijshëm se zvarritjet, paaftësia dhe korrupsioni që sigurisht nuk janë zhdukur do të mund të luftohen nëpërmjet modernizimit dhe inovacionit të shërbimeve publike.

Kutia e shërbimeve publike është një aplikacion që vetëm pararend  reformën e shërbimeve publike që është duke u projektuar dhe do të fillojë të aplikohet dhe të implementohet në të gjithë zyrat e shtetit. Përtej modernizimit, ne kemi gjithashtu nevojë edhe për bashkëpunimin e qytetarëve. Ne kemi nevojë për qytetarë aktivë , kemi nevojë për qytetarë që nuk pajtohen me mentalitetin  e vjetruar të zyrave të shtetit në shumë raste", theksoi Peleshi pas mbledhjes së Qeverisë.

Zv.Kryeministri shprehu  vendosmërinë për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike, por këtë nuk mund ta bëjmë të vetëm. Ndaj ju ftojmë të bashkëpunoni me ne.

"Ju ftojmë të përdorni këtë instrument të ri, këtë aplikacion të ri, kutinë e shërbimeve publike si një mundësi për të ushtruar presionin e nevojshëm pozitiv, duke rritur transparencën, duke zbuluar për mirë apo për keq çdo rast të një reagimi jo të përshtatshëm, të  një zyrtari, apo një zyre, apo një institucioni të shtetit, sepse në këtë mënyrë duke bashkëpunuar, nga njëra anë përmes modernizimit dhe nga ana tjetër përmes presionit që vjen nga ngritja e zëri qytetar, nga  qytetarët tanë aktivë, ne do të mund  të modernizojmë por dhe të rritim cilësisht shërbimet publike.

Reformat e qeverisë shqiptare natyrisht do të shkojnë paralel me rritjen  e etikës së  zyrtarëve tanë apo të punonjësve të çdo institucioni, do të shkojnë paralel me rritjen  e transparencës, si dhe të cilësisë së ofrimit të një shërbimi", theksoi Peleshi. 

SHKARKO APP