Kuvendi hap procedurat për dy anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë
Në një njoftim të publikuar edhe në faqen zyrtare në internet thuhet se “kërkesa e nënshkruar nga kandidati për paraqitjen e kandidaturës, duhet të paraqitet zyrtarisht pranë sekretarisë së Kuvendit të Shqipërisë, brenda datës 10.11.2014, e shoqëruar me dokumentacionin përkatës (CV, fotokopje të librezës së punës, diplomë universitare dhe pasuniversitare, dëshmi penaliteti, si dhe referenca të tjera që provojnë përmbushjen e kritereve ligjore).
Në vendimin e miratuar nga Parlamenti në seancën e të enjtes thuhet se në datën 10 nëntor kur të mbyllet edhe afati për aplikuesit, lista e plotë do ti bëhet e ditur deputetëve.
“Shërbimet e Kuvendit, brenda 5 ditëve nga dërgimi i njoftimit te deputetët i listës së kandidaturave të vetofruara, organizojnë dëgjesën publike në mjediset e Kuvendit. Shërbimet e Kuvendit, njoftojnë të gjithë deputetët/grupet parlamentare për ditën, orën dhe mjediset ku do të kryhet dëgjesa publike dhe prezantimet e çdo kandidati në këtë proces të hapur. Pas dëgjesës publike, të paktën 28 deputetë përzgjedhin kandidatin/kandidatët, të cilët do të mbështesin për t’ia paraqitur Kuvendit, sipas cilësive profesionale dhe performancës gjatë prezantimit”, vijon më tej vendimi i Kuvendit.
Në fund thuhet se jo më pak se 28 deputetë kanë të drejtë të zgjedhin një kandidat që nuk është në listën e aplikuesve për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës. Pas kryerjes së gjithë kësaj procedure Parlamenti do të votojë dy anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës.