Kuvendi mblidhet për Ukrainën/ Basha: Kosova të anëtarësohet në NATO; Spiropali: Integrimi i Ballkanit në BE i shërben paqes
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë ka shprehur mbështetjen e PD-së për rezolutën e dënimit të agresionit rus në Ukrainë. Ai tha se populli ukrainas gjendet në një agresion të pashembullt. Basha i kërkoi qeverisë që të ndërmarrë hapat e duhura që Kosova të anëtarësohet në NATO.
”Me këtë rezolutë i japim përfaqësisë tonë në KS shtysën për të bërë çdo gjë me aleatët për t’i dhënë fund kësaj çmendurie. Askush nuk duhet të ketë dyshim se çmenduria e Putin është një akt i beftë e i paplanifikuar”.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali bëri thirrje për votimin e rezolutës që dënon agresion rus në Ukrainë. Po ashtu Spiropali tha se lufta në Ukrainë është një mësim që tregon se Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në BE.
”Lufta në Ukrainë është këmbanë për të parë ndryshe të nesërmen. Sot është momenti që kontinenti ta bëjë Europë Ballkanin. Ballkani në BE se integrimi në NATO edhe i Kosovës, janë mjete e vetmja që i shërbejnë paqes”.