Kuvendi nis të hënën sesionin e fundit të legjislaturës
Kuvendi i Shqipërisë nis të hënën punimet e sesionit të VIII-të të Legjislaturës së VIII-të. Ky është dhe sesioni i fundit i kësaj Legjislature, e cila mbyllet në muajin maj me shpërndarjen e Parlamentit, për t’i hapur rrugën Kuvendit të ri që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.
Në seancën e parë hapëse, që pritet të mblidhet pasditen e së hënës, deputetët do të miratojnë programin e punës së Kuvendit dhe kalendarin trejavor të punimeve.
Sesioni i ri parashikohet me një axhendë të ngjeshur pune, ku veçohet reforma zgjedhore, ndërsa nga zgjedhjet e qershorit na ndajnë vetëm 5 muaj.
Një tjetër angazhim i Kuvendit lidhet me reformën kushtetuese, ku pritet ngritja e organeve të reja të drejtësisë, si dhe ndërhyrjet në rreth 40 ligje, që do të mundësojnë riorganizimin e institucioneve të sistemit gjyqësor në vend.
Mes çështjeve të mbartura nga sesioni paraardhës është dhe dekreti i presidentit për rishqyrtimin në Parlament të ndryshimeve në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
KOHA JONË SONDAZH

