Kuvendi shtyn në 2017 dekretin kundër plehrave dhe mbyll veprimtarinë e komisionit për reformën në drejtësi
Kryeministri Rama do t’i përgjigjet sot 7 deputetëve në interpelancën për ngecjen e negociatave me BE-në
Kryeministri Edi Rama do t’i përgjigjet sot në Kuvend thirrjes së 7 deputetëve për një interpelancë urgjente për çështjen e dështimit të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.
Kërkesa për interpelancë, e nënshkruar nga deputetë të të dyja palëve, shpreh shqetësimin për shtyrjen “me afate të panjohura” të çeljes së negociatave, dhe i kërkon kryeministrit më shumë informacion lidhur me veprimtarinë e qeverisë në këtë proces.
Seanca e fundit për këtë sesion, e parashikuar me një rend dite mjaft të ngjeshur, ka pësuar disa ndryshime nga agjenda e publikuar të hënën, dhe e miratuar në Konferencën e Kryetarëve, një javë më parë.
Shërbimi i Seancave Plenare ka publikuar të mërkurën në mbrëmje rendin zyrtar të punimeve, nga i cili janë tërhequr disa çështje të rëndësishme të parashikuara në kalendarin fillestar, dhe që janë shtyrë për sesionin pasardhës. Mes tyre veçohen dy dekretet e Presidentit të Republikës, ai që ktheu për rishqyrtim në parlament ligjin për mbetjet, për të cilin pritshmëria ka qenë mjaft e lartë, si dhe kthimi i ligjit “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”.
Po ashtu, janë shtyrë për vitin e ardhshëm dhe disa projektligje të tjera, të parashikuara për të enjten, si ai “Pёr nxitjen e pёrdorimit tё energjisё nga burimet e rinovueshme”; ndryshimet në ligjin “Për koncensionet dhe partneritetin publik privat”; p/ligji “Për arsimin dhe formimin profesional”; ai “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”; statusi i naftëtarit, etj. Në diskutim këtë të enjte do të jenë pr/ligji “Për amnistinë”; ai “Për sigurimin e depozitave”, “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”, ratifikimi i marrëveshjes me SHBA-në për kontrollin e lëndëve narkotike, ndryshimet në ligjin “Për lojërat e fatit”, etj. Rendi i ditës parashikon dhe votimin e disa pr/vendimeve, si ai për emërimin e kryetarit të Komisionit të Autoritetit të Konkurencës; zgjedhja e Komisionerit të Mbrojtjes nga Diskriminimi.
Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi
Kuvendi pritet të zyrtarizojë nesër mbylljen e veprimtarisë dyvjeçare të Komisionit të Posaçëm të Reformës në sistemin e drejtësisë.
I ngritur me një vendim të Kuvendit më 27 nëntor 2014, komisioni rezulton se e ka përmbushur funksionin e tij me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në muajin korrik dhe më pas me miratimin e 7 ligjeve në muajin tetor, pjesë e paketës mbështetëse për zbatimin e reformës në drejtësi.
Propozimi për përmbylljen e veprimtarisë së komisionit vjen nga anëtarët e tij, të cilët gjykojnë se vijimësia e procesit, që lidhet me diskutimin dhe miratimin e 27 ligjeve të reja, për funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë, do të jetë një procedurë që do i kalojë komisionit të Ligjeve.
Reforma në drejtësi, e vlerësuar si më e rëndësishmja pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, angazhoi përgjatë dy viteve me qindra ekspertë vendas dhe të huaj, duke veçuar angazhimin maksimal të ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së, për kurorëzimin e këtij procesi, që pritet të çojë thuajse në përmbysjen e plotë të sistemit aktual të drejtësisë në Shqipëri.
KOHA JONË SONDAZH

