Lajme kryesore nga Greqia Samaras: “SYRIZA gjendet në panik e dëshpërim”
Lajme kryesore nga Greqia.Samaras: “SYRIZA gjendet në panik e dëshpërim”
Mesazhin e fitores së Demokracisë së Re në zgjedhjet e 25 janarit ka dërguar kryeministri dhe kryetar i ND, Antonis Samaras nga tubimi elektoral në Komotini. Samaras akuzoi SYRIZA-n se ndodhet në siklet dhe panik, dëshpërim, dhe luan kumar me interesat e vendit. “SYRIZA gjendet në siklet, në panik. Po përpiqet t’ua mbledhë kuadrove të vet që nuk e dinë çfarë thonë. Gjendet në dëshpërim sepse e sheh diferencën në sondazhet të bëhet zerë dhe për herë të parë po mendon mundësinë e humbjes”, theksoi Samaras. Sipas Samaras, logjika e SYRIZA-s revokon praktika të regjimit të Koresë së Veriut. Për këtë, kryeministri përdori shembullin e ndenjëseve të deputetëve që sipas SYRIZA-s i përkasin partisë. “Neni 60 i Kushtetutës përcakton se deputetët kanë të drejtën e pakufizuar të mendimit dhe votojnë siç u dikton ndërgjegjja e tyre”, tha kryeministri dhe shtoi: “Me heqjen dorë nga posti i deputetit, SYRIZA suprimoi ndërgjegjjen e deputetit. Ndenjëset e deputetëve të SYRIZA-s janë pronë e partisë! Më përpara partia dhe pastaj demokracia, për SYRIZA-n. Grekët duam të qëndrojmë në Europë dhe nuk do të transferohemi në Korenë e Veriut meqenëse e do SYRIZA”. Samaras vuri në dukje se pasiguria politike që shkaktoi SYRIZA është e përkohshme dhe se normaliteti politik do të kthehet sërish, pas zgjedhjeve që ai ka bindjen se do t’i fitojë Demokracia e Re. Atëherë vendi përfundimisht do të dalë nga ndërvarja dhe nga kreditimi i detyruar, ndërsa theksoi se “zgjedhjet do të jenë vaterloja e madhe e populizmit”.
Cipras: “Ftoj Samarasin në një dialog publik të hapur”
Ftesë ndaj kryeministrit Antonis Samaras “për t’iu përgjigjur një dialogu televiziv publik të hapur, të pastër, para gjykatësit superior, popullit grek”, ka drejtuar Aleksis Tsipras, duke shtuar: “Këtë presin qytetarët, me qëllim që të marrin përgjigje ndaj pyetjeve dhe agonive të tyre për të ardhmen. Këtë imponon demokracia jonë dhe është obligimi i të gjithë neve t’i përgjigjemi”.
“Zgjedhjet e 25 janarit janë ndoshta më vendimtaret në historinë bashkëkohore të vendit”, dhe “populli grek”, i cili “pas katër vitesh sakrificash të pafundme, do të përzgjedhë ndërmjet dy strategjive diametralisht të kundërta për ditën e nesërme”, kërkon “prej të gjithë neve propozime, argumente, angazhime”, thotë Tsipras dhe i drejtohet personalisht kryeministrit: “Çfarëdo që të na ndajë, kemi obligimin ndaj historisë, ndaj demokracisë, që të dalim me letra të hapura dhe me argumente para popullit grek. Në një dialog publik të hapur, të sinqertë. Dhe le të lemë popullin grek të gjykojë se kuzsh thotë të vërtetën e kush gënjen. Të gjykojë më të drejtën, më të dobishmen për të ardhmen e atdheut”.
Venizelos: “Më 26 janar duhet të ketë një rregullator”
“Se çfarë do të bëhet më 26 janar do ta caktojë populli grek. Nuk do të ketë maxhorancë qeverisëse, nuk mund të shkojmë në zgjedhje të dyfishta, nuk mund të ketë mosqeverisje, duhet të ekzistojë një strategji kombëtare, duhet të ketë një rregullator, një qeveri uniteti kombëtar dhe bashkë përgjegjësie që do të zbatojë politikën e daljes së sigurt nga memorandumi dhe kriza. Ky rregullator mund të jetë vetëm PASOK-u”.
Kështu theksoi kryetari i PASOK-ut Evangelos Venizelos, gjatë një fjalimi në Kalithea, duke përuruar turin e tij në pellgun e Atikës. Venizelos nënvizoi se ajo që thotë PASOK-u nuk është një menaxhim i krizës dhe i negociatave, por e ardhmja e vendit, e demokracisë, e zhvillimit, e të drejtave, e punësimit, modeli i ri produktiv, mbrojtja e shtetit social. “Ajo që prpopozojmë nuk është një platformë teknokratike, por plani kombëtar i rimëkëmbjes për dekadën e ardhshme. Kjo është një atretegji e kompletuar për vendin, e kemi e propozojmë, mund ta garantojmë”.
Parlamenti Europian: Të ndalojë çdo diskutim për "Grexit"
Fakti që “forcat e djathta gjermane po përpiqen të veprojnë si sherif në Greqi apo në shtetet e tjera anëtare, nuk është vetëm i papranueshëm, por mbi të gjitha gabim”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Europian, Giani Pittella, në vazhdim të publikimit të Der Spiegel lidhur me pjesëmarrjen e Greqisë në eurozonë.
Ndërsa kreu i liberalëve, po në Parlamentin Europian, Guy Verhofstadt, apeloi që të ndërpritet çdo diskutim lidhur me atë që quhet “Grexit”:
“Nuk duhet t’i lejojmë vetes të krijojmë një profeci vetëpërmbushëse. Në vend që të flasim për një Grexit të mundshëm, do të duhet të përqendrohemi në zgjidhjen e problemit të të investimeve në Greqi dhe në vende të tjera që përballen me të njëjtin problem”, tha Verhofstadt, duke shtuar se Europa po përballet me një vakuum investimesh me vlerë 700 miliardë euro.
Nga Kujtim VANI, Athinë